Kërkohet drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

Prishtinë | 19 Qer 2020 | 13:14 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instalacioni “Bëhu zëri im” është vendosur në sheshin “Skënderbeu” nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës në Ditën Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt, raporton Ekonomia Online.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, me këtë rast tha se dhunimi gjatë luftës është përdorur si mjet i gjenocidit dhe kjo është dëshmia më e mirë për krimet e kryera.

Osmani bëri thirrje për drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës.

“… 20 mijë njerëz përkundër faktit që përjetuan më të tmerrshmen dhe qëllimit të atyre që kryen krime që t’i lënë në dhimbje të përhershme sot po e ngrisin zërin për të kërkuar nga ne të punojmë për drejtësi”.

“Thirrja jonë është thirrje për drejtësi e cila duhet të dëgjohet kudo në botë. Këto lule duhet ti mbajë secili përfaqësues i Kosovës që ulet në tavoline me Serbinë që t’ia përkujtojnë serbëve krimin që kanë kryet”.

“Thirrja e dytë me familjet e të mbijetuarve t’i fuqizojnë ata sepse ato janë heroinat e vendit tonë”.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skënder Reçica, tha se po mundohen që të kryejnë obligimin e tyre si Qeveri për tu dalë në ndihëm kësaj kategorie, raporton EO.

“Ky instilacion duhet të na shërbejë edhe në të ardhmen. Ne si shoqëri dhe Qeveri jemi sado pak duke kryer obligime andaj kësaj kategorie”.

“Obligimi kryhet vetëm kur aktorët vihen para drejtësisë. Nuk është shumë që çdo ditë të angazhohemi të jemi zëri i atyre dhe kësaj tragjedie dhe deri sa të kemi ata që kryen krime para drejtësisë”.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti ka thënë se qëllimi i këtij instalacioni është për të kërkuar në mënyrë simbolike që viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë të mbështeten vazhdimisht.

“Nuk mjafton zëri i Vasfijes dhe Shyhretes që zgjoi letargjinë e fjetur të shoqërisë kosovare në raport me krimet e luftës dhe dhunimet, por duhet të krijojmë hapësirë edhe për viktimat e tjera të luftës që të fuqizojmë dhe mbështesim ato. Kjo është arsyeja e instalacionit simbolik ‘Bëhu zëri im’ që ne të jemi zëri i tyre në çdo perspektivë jetësore”.

Rushiti ka kërkuar gjithashtu që të mos paragjykohen viktimat e dhunës seksuale, derisa ka thënë se vetëm duke punuar të gjithë bashkë mund të ndërtohet një gjeneratë e re në Kosovë që i respekton.

“Jemi mbledhur këtu për t’i thënë mjaft paragjykimeve shoqërore që këto gra dhe burra padrejtësisht që 20 vjet me radhë ende vazhdojnë të stigmatizohen qoftë nga familja e ngushtë, apo shoqëria e gjerë. Për shkak të këtij stigmatizimi ato nuk arrijnë t’i gëzojnë të drejtat e tyre”.

“Ne po gabojmë rëndë duke i paragjykuar ato, sepse duke i izoluar ato po i japim zë dhunuesit për të qenë i lirë dhe për të mos e marrë ndëshkimin e merituar. Vetëm bashkërisht me institucionet e Kosovës ne mund të ndërtojmë një gjeneratë të re, shoqëri paqësore pa dhunë dhe të reflektojmë për të ardhmen”.

“Vetëm duke u ballafaquar drejt me të kaluarën e luftës dhe duke i dhënë vendin e merituar viktimave të dhunës seksuale mund të ndërtojmë shoqëri që reflekton drejt dhe respekton të gjithë ata që kanë vuajtur gjatë luftës”.

Të ngjashme