Kërkohet paraburgim ndaj një personi për kultivimin e bimëve narkotike

Prishtinë | 26 Gus 2022 | 08:57 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj të pandehurit M.H.,  për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, si dhe, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Prokuroria njofton se, i pandehuri M.H., me datë të pacaktuar e deri më 25 gusht 2022, në fshatin Lug- Bunar,  Komuna e Gjakovës, në mënyrë të paautorizuar ka kultivuar substancë narkotike, 107 bimë narkotike të llojit “kanabis sativa”,  me qëllim të prodhimit të substancave narkotike ose psikotrope.

Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” nga neni 272 paragrafi 1 të KPRK-së.

Gjithashtu, i pandehuri M.H., më parë e deri më 25 gusht 2022, në shtëpinë e tij, pa autorizim, ka mbajtur armë dhe municion në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm për Armët, një armë automatike AK-47 me karikator dhe shtatëmbëdhjetë fishekë, si dhe, një karikator i revoles me njëmbëdhjetë fishekë, ku të njëjtat  i janë konfiskuar nga ana e policisë.

Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së.

Prokurori i rastit ndaj të pandehurit M.H., ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh.

I pandehuri,  me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga data 25 gusht 2022.

Të ngjashme