Kërkohet për krime në Kosovë, Gjina Zeqiri punon në Bujanoc

Prishtinë | 04 Gus 2016 | 08:45 | Nga

Kërkohet me fletarrestim ndërkombëtar, por gjinekologia Gjina Zeqiri, pavarësisht kësaj, po ushtron veprimtarinë e saj në qytetin e Bujanocit.

Ajo po shpërndan kartëvizita në qytetin e Bujanocit, ku ka filluar të ushtrojë veprimtarinë e saj si gjinekologe, ndonëse në shtetin e Kosovës Gjina Zeqiri është shpallur tash e dy vjet si person në kërkim.

Gjina Zeqiri, gjinekologe, po kërkohet përmes një fletarrestimi ndërkombëtar, siç konfirmon Policia e Kosovës, bashkë edhe me tre persona të tjerë, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Transplantim i kundërligjshëm dhe Trafikimi i Organeve dhe Qelizave Njerëzore”.

Por, varësisht kësaj, gjinekologia Zeqiri që është me prejardhje nga Medvegja, po qëndron në qytetin e Bujanocit, qytet ky i banuar kryesisht me shqiptarë në jug të Serbisë.

Ajo atje ka hapur një qendër për sterilitet, me të njëjtin emër “Global”, siç e kishte edhe në Prishtinë e ku dyshohet se ka kryer transplantim dhe trafikim organesh dhe qelizash.

Qendra për Gjinekologji dhe Sterilitet, gjendet në rrugën “Josifa Janjica”, në Bujanoc me numër 33. Së paku kështu figuron në një kartëvizitë me të dhënat e gjinekologes Zeqiri, të siguruara nga gazeta “Zëri”.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme