Kërkohet që edhe zjarrfikësve t’ju paguhen orët shtesë

Prishtinë | 10 Tet 2018 | 13:35 | Nga Ekonomia Online

Gjatë ditës së djeshme, Qeveria ka miratuar propozim vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për kompensimin e orëve shtesë për punën jashtë orarit për zyrtarët policorë të Kosovës bazuar në kërkesën e Policisë së Kosovës.

Në këtë mbledhje të Qeverisë, kryeministri Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se vlera financiare për këtë kompensim është 2 milionë e 600 mijë euro të cilat do të ndahen nga Ministria e Financave, raporton lajmi.net.

Mirëpo, për njohësin e çështjeve të emergjencave, Tahir Ahmetin ky vendim i Qeverisë është i njëanshëm.

Ai ka kërkuar që të kompensohen edhe zjarrfikësit e Kosovës, pasi që sipas tij, duke mos u kompensuar në asnjë mënyrë zjarrfikësit për punën e tyre jashtë orarit, gjatë festave dhe për punën në ndërrimin e natës, ata (zjarrfikësit) po diskriminohen.

“Është lajm mjaftë i mirë që po zbatohet ligji për kompensimin e orëve shtesë të kësaj kategorie punonjësish të sigurisë në Kosovë. Por, pse zjarrfikësve si punëtorë të MPB-së, asnjëherë deri më tani nuk ju kanë kompensuar ndërrimet e natës, orët jashtë orarit, festat shtetërore dhe fetare? A duhet të ekzistojë parimi i njëjtë me institucionet tjera publike në Kosovë, edhe me institucionet tjera të sigurisë, edhe me ato të sektorëve tjerë?”, është shprehur Ahmeti, raporton lajmi.net.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”, Ahmeti ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që t’i trajtojnë në mënyrë të dinjitetshme shpëtimtarët e vendit.

“Ashtu sikurse e përcakton Ligji i Punës dhe ligjet tjera, në këtë çështje nuk duhet të ndodh diskriminim dhe padrejtësi, as nuk duhet të ketë vendime selektive. Institucionet e Kosovës duhet t’i trajtojnë me dinjitet shpëtimtarët, ashtu siç edhe e meritojnë e jo të konsiderohen si kategori e rendit të dytë apo si kategori e punëtoreve që kërkojnë lëmoshë nga institucionet për punën e tyre të dinjitetshme që e bëjnë”, ka shkruar Ahmeti.

Ai ka thënë se duke e parë këtë vendim të fundit të Qeverisë së Kosovës, diskriminimi që po iu bëhet zjarrfikësve të Kosovës nga ana e institucioneve ka kaluar çdo kufij.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme