Kërkohet rritje e efikasitetit në Gjyqësorin e Kosovës

Prishtinë | 07 Shk 2017 | 11:14 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjyqësori në Kosovë ka nevojë për rritje të efikasitetit. Madje tani është koha e duhur që të shtohet transparenca në sistemin e drejtësisë në vend. Andaj sundimi efikas i ligjit mundëson një zhvillim më të mirë.

Kështu u tha sot në një konferencë për media me temë “Forcimi i efikasitetit dhe cilësisë së drejtësisë në Kosovë”, të organizuar nga Zyra e BE-së dhe CEPEJ, qëllimi i së cilës është asistimi në gjykata në nivel lokal dhe qendror, raporton Ekonomia Online.

François Paychere, kryetar i Grupit Punues të CEPEJ për cilësi të drejtësisë dhe anëtar i Gjykatës së Auditorëve në Kanton të Gjenevës, tha se projekti i tyre ka të bëjë me atë se si të ndihmohen kolegët e tyre në Kosovë për sigurimin e shërbimeve më të mira për publikun kosovarë.

“Ky shërbim duhet të jetë në nivel të lartë në gjykata në mënyrë që t’i ndihmojmë qytetarët tonë në drejtësi. Qëllimi i këtij projekti nga ana jonë është që të shtojmë numër të madh të përvojave”, theksoi Paychere.

Kurse, Esat Rama nga Ministria e Drejtësisë tha se kjo ministri ka rol të rëndësishëm në rritjen e efikasitetit në drejtësi.

“Si ministri e drejtësisë po përpiqemi të zbatojmë legjislacionin duke marrë për bazë praktikat më të mira”, tha ai.

Kurse, përfaqësuesi i BE-së, në Kosovë, Libor Chlad, potencoi se Këshilli i Evropës tashmë ka një metodologji të veçantë të koncepteve për forcim të efikasitetit dhe cilësisë së drejtësisë.

“Synimi është të përdorët kjo metodologji dhe të shtojmë transparencën. Pse është me rëndësi kjo, sepse sundimi i ligjit mundëson një zhvillim më të mirë. E dini që BE-ja tashmë sa vjen e përkrah drejtësinë dhe sundimin e ligjit dhe kjo ka qenë e dobishme për t’i parë mangësitë në nxjerrjen e vendimeve gjyqësore”, shtoi Chlad.

Ndërsa, kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, tha se ky i fundit ka nevojë për rritje të efikasitetit.

“Gjyqësori ka nevojë ta rris efikasitetin. Nuk e kemi nivelin e kënaqshëm që duhet të jetë. Për fat të keq sa i përket afateve që duhet vendosur gjyqtarët vërtetë gjykatat nuk munden me dhënë drejtësi në afat të caktuar”.

Sipas tij, projekti i CEPEJ në bashkëpunim me zyrën e Bashkimit Evropian do t’u ndihmojë gjykatave në vend që të ndërmarrin hapa të mëtutjeshëm dhe të krijojnë strategji që palëve të cilët dërgojnë lëndë nëpër gjykata mos tu zgjaten afatet.

Të ngjashme