Kërkohet të hiqen kushtëzimet për regjistrimin e automjeteve

Prishtinë | 24 Gus 2020 | 11:48 | Nga Ekonomia Online

Qytetarët e Kosovës para se t’i regjistrojnë automjetet janë të detyruar që t’i paguajnë shpenzimet komunale, si pagesën e tatimit në pronë, taksën e rrugës për regjistrimin e veturave, pagesën për mbeturina si dhe gjobat e trafikut. E tëra kjo në bazë të udhëzimeve administrative të nxjerra, si ai i tatimit në pronë dhe Udhëzimit Administrativ nr. 01/2018 për regjistrimin e mjeteve, i nxjerr nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

Për ta paguar taksën rrugore, prej vitit 2011, bazuar në Udhëzimin Administrativ të tatimit në pronë, qytetarët e Kosovës duhet ta paguajnë tatimin në pronë në mënyrë që ta kenë mundësinë ta paguajnë taksën rrugore.

Përpos pagesave komunale, në bazë të Udhëzimit Administrativ nr. 01/2018 për regjistrimin e mjeteve, qytetarët e Kosovës për ti’ regjistruar mjetet e tyre motorike janë të obliguar që t’i shlyejnë edhe gjobat  e kundërvajtjes, siç specifikohet në nenin 34, paragrafin dy të këtij udhëzimi: “Pronari i mjetit nuk mund ta bëjë regjistrimin apo vazhdimin e regjistrimit të mjetit me veprim motorik, as ndërrimin e pronarit, pa e bërë shlyerjen e gjobave për kundërvajtje në trafikun rrugor”. Mirëpo, përkundër faktit që Avokati i Popullit ka dhënë këtë rekomandim në vitin 2018, akoma s’është marrë ndonjë iniciativë ligjore.

Lidhur me këtë detyrim, në raportin me rekomandime sipas “ex officio, rasti nr. 376/ 2008, Avokati i Popullit ka rekomanduar që të hiqet ky nen, por deri më tani nuk është bërë një gjë e tillë. “Në bazë të këtyre konstatimeve dhe në përputhje me nenin 135, paragrafin 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 16, paragrafi 4 i Ligjit Nr. 05/ L-019 për Avokatin e Popullit, Avokati i Popullit rekomandon që Kuvendi  në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës: ta ndryshojë Ligjin Nr. 05/ L-019 për Automjete, përkatësisht ta fshijë nenin 43, paragrafin dy të tij”, është thënë në rekomandimin e Avokatit të Popullit të vitit 2018.

Mirëpo këto kushtëzime për shlyerje të pagesave komunale si dhe shlyerje të gjobave të kundërvajtjes, në bazë të gjendjes së rëndë ekonomike dhe sociale, si dhe në bazë të gjendjes pandemie, janë kundërshtuar nga kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku. Ai ka thënë se kushtëzime të tilla janë “zhvatje ligjore” për ta mbushur arkën e shtetit. Kaçaniku ka thënë për gazetën “Epoka e re” se detyrimi i qytetarëve të Kosovës, që t’i paguajnë obligimet komunale, para se t’i regjistrojnë automjetet e tyre, është metodë e padrejtë dhe jodemokratike. “Politika te në është e dobët dhe në vazhdimësi shikohet të gjenden mënyra me anë të të cilave i zhvatin qytetarët.  Kemi thënë se është e palejueshme, jodemokratike dhe diskriminuese që konsumatorin – qytetarin taksapagues dikush ta detyrojë, e që detyrimi është zhvatje e një natyre të llojit të veçantë, pasi konsumatorët që janë gjeneruesit kryesorë të buxhetit dhe financuesit e shtetit të Kosovës në shumë forma. Nuk është faji ynë nëse shteti nuk ka mekanizma të aftë që t’i grumbullojë obligimet, prandaj është e paarsyeshme dhe joedukative që në këtë mënyrë qytetari konsumator të zhvatet”, ka thënë Kaçaniku, duke shtuar se ky kushtëzim është zhvatje tipike e autorizuar nga shteti.  “Kjo është zhvatje tipike e autorizuar nga institucionet e shtetit dhe është non sens. Po të kishim forcë me siguri do ta paditnim qeverinë për këtë trajtim jo të drejtë.  Politikanët dhe institucionet tona janë të paafta dhe përpiqen t’i bien trup një rruge që të çon në humnerë, prandaj duhet të ndiqet rruga e drejtë”, ka deklaruar ai.

Po këto kushtëzime janë kundërshtuar edhe nga kryetari i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës (ShSK), Sami Mazreku. Ai ka thënë se këto kushtëzime janë duke ndikuar edhe në rritjen e numrit të automjeteve të paregjistruara. Mazreku ka bërë me dije për gazetën “Epoka e re” se i është drejtuar Avokatit të Popullit për t’i hequr kushtëzimet për regjistrim të automjeteve në mënyrë që, sipas tij, t’u lehtësohet qytetarëve barra e pagesave dhe të bie numri i automjeteve të paregjistruara. “Ne në dy vjetët e fundit si shoqatë kemi kërkuar që kushtëzimet për regjistrimin e automjeteve të hiqen. Një ndër kushtëzimet është vërtetimi për tatimin në pronë. Për të njëjtën temë unë si drejtor kam ushtruar edhe ankesë pranë Avokatit të Popullit, ku kam argumentuar pse ky kushtëzim është kundërkushtetues dhe fillimisht kam pranuar një njoftim për provueshmërinë, pasi kur rasti ka bazë për hetim të mëtutjeshëm, avokati e lëshon një njoftim për pranueshmëri dhe besoj se shumë shpejt do të dilet me rekomandim që këto kushtëzime duhet të hiqen”, ka thënë Mazreku, duke shtuar se në sajë të këtyre kushtëzimeve në Kosovë, kemi numër të lartë të automjeteve të paregjistruara. “Kemi dhënë një statistikë, që në Kosovë janë 109 mijë automjete të paregjistruara dhe që nga atëherë ne jemi munduar të gjejmë forma sesi ta ulim këtë numër. Kemi nxjerr përfundimin, se për shkak të kushtëzimeve një pjesë e madhe e tyre nuk po i regjistrojnë automjetet, ose kanë tatim pa paguar ose kanë gjoba dhe kjo ka ndikuar në rritjen e automjeteve të siguruara. Kemi kërkuar ndryshime ligjore. Në anën tjetër, jemi ankuar tek Avokati i Popullit dhe kemi kërkuar të hiqen kushtëzimet për regjistrimin e automjeteve, siç është taksa komunale. Ky ligj është në ndryshim e sipër dhe për të u bë me dije në një takim që kishin z. Abrashi dhe Veliu. Vitin e kaluar e kam dërguar edhe një kërkesë tek Avokati i Popullit. Kam kërkuar që tatimi në pronë, i cili kushtëzohet me nxjerrjen e taksës komunale, fare mos të ketë lidhje me regjistrimin e automjeteve. Te Ligji i Automjeteve kemi kërkuar disa ndryshime që ndikojnë financiarisht në lehtësimin e procedurave, por edhe te bartja e pronësisë, që qytetarët mos të obligohen që taksat t’i paguajnë nga fillimi, dmth. taksën rrugore, taksën komunale, kontrollin teknik dhe vërtetimin komunal. Këto bartje të pronësisë u shkaktojnë qytetarëve dëme miliona euro, kurse për pjesën e sigurimit, për aq kohë sa e shfrytëzojnë është e shfrytëzueshme, kurse kur e ndërrojnë pronësinë pjesa tjetër kthehet”, ka thënë Mazreku.

Ai ka thënë se në vitin 2020 janë publikuar të dhënat për numrin e automjeteve të paregjistruara të automjeteve, që arrin në 148 mijë automjete. “Për këtë kemi mbajtur takime të shpeshta edhe me BQK-në. Vlen të përmendet se BQK-ja dhe guvernatori Fehmi Mehmeti kanë luajtur rol aktiv dhe pozitiv në këtë proces dhe me gëzon fakti që Ministria e Financave me një marrëveshje me BQK-në është zotuar se do të merret me masat dhe ndryshimet ligjore që do të ndikojnë në numrin e automjeteve të paregjistruara që më pas na lehtësojnë punën për anëtarësim në organizata jashtë Kosovës”, ka thënë ai.

Më tutje, Mazreku ka shtuar se, përveç për taksa komunale, duhet të hiqet kushtëzimi edhe për gjobat e trafikut me rastin e regjistrimit të automjeteve. “Që ky proces të jetë më i lehtë e që Ministria e Punëve të Brendshme ka vendosur një afat se deri kur duhet të regjistrohen këto automjete, do të ishte mirë që edhe MPB-ja ta pezullojë nenin ku specifikon që gjatë regjistrimit të automjeteve qytetarët duhet t’i paguajnë fillimisht gjobat e trafikut. Sigurisht që kërkesa jonë s’është që gjobat mos të paguhen, por mos të lidhen me regjistrimin e automjeteve”, ka thënë Mazreku.

Edhe një qytetar nga Prishtina, Shkëmbim Krasniqi, ka kërkuar të hiqen këto kushtëzime pasi, sipas tij, gjendja ekonomike dhe sociale është e rëndë dhe qytetarëve nuk duhet t’u rëndohet edhe më tutje gjendja me kushtëzime të pagesave para regjistrimit të automjeteve. “Situata ekonomike dhe sociale është e rëndë. Të kushtëzohemi për pagesa të mbeturinave, tatimit në pronë, si dhe të gjobave me të vërtetë na vështirëson gjendjen dhe në shumë raste e bën të pamundur regjistrimin e automjeteve, shto këtu edhe gjendjen me të cilën jemi goditur nga pandemia”, ka thënë Krasniqi.

Në takimin që ka pasur ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, me atë të Infrastrukturës, Arban Abrashi, javën që lamë pas, është bërë me dije se është diskutuar për Ligjin e automjeteve, i cili është në procedurë për plotësim-ndryshim, por nuk është specifikuar se kur do të merret iniciativa për ndryshimin e  këtij ligji.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme