Kërkohet trajtim i barabartë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

Prishtinë | 07 Dhj 2017 | 13:07 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Trajtimi i barabartë në shoqëri, ofrimi i shërbimeve shëndetësore falas, përfshirja në tekstet shkollore, trajtim i barabartë në punësim, ishin vetëm disa nga kërkesat e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës të përçuara në konferencën përmbyllëse kundër diskriminimit të viktimave të dhunës seksuale.

Kërkesat e tyre në këtë konferencë i prezantoi ambasadorja e vullnetit të mirë në Kosovë, Elvana Shala në përmbylljen e fushatës vetëdijësuese kundër diskriminimit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë “Një fije dritë”.

Për të përkrahur këtë iniciativë në këtë takim kishte ardhur edhe këngëtarja Nexhmije Pagarusha.

“Dëshira jonë e të gjithëve është që ata që munden të fillojnë të punojnë pak më tepër, pak më shumë kujdes me pas”, tha Pagarusha.

E vet ambasadorja e vullnetit të mirë, Elvana Shala tha se lansimi i fushatës së iniciuar nga vet ajo “Një fije dritë” është bërë me qëllim të vetëdijesimit për trajtimin e barabartë të gjitha viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.

“Derisa shoqëria civile dhe organizatat punuan pa ndalë ato kërkuan që të kenë kujdes të shtuar në ndarjen e pensionit të viktimave të dhunës seksuale. Ato kanë mungesë të shërbimeve shëndetësore prandaj kërkojmë me ministria e Shëndetësisë ofrimin e shërbimit shëndetësor pa pagesë. Duke u përballur me kushte tejet të vështira ekonomike ato kërkuan nga ministria e mirëqenies sociale që të jenë të barabartë në punësim. Ne tekstet shkollore asnjëherë nuk është përmendur krimi seksual gjatë luftës. Kërkojmë nga ministria e arsimit që në tekstet shkollore viktimat e dhunës seksuale të zënë vendin e tyre”, shtoi Shala.

“Ato janë heroinat tona ato sakrifikuan trupin për lirinë që gëzojmë sot është detyrë e jona që të zhdukim errësirën që ato jetuan për 18 vite…”, përfundoi ajo.

E ambasadorja e Turqisë, Kivilicim Kilic, tha se trajtimi i barabartë i grave është thelbi i demokracisë.

“Barazia gjinore dhe ngritja e statusit të grave është thelbi i demokracisë dhe i të drejtave tona. Nuk mund të ketë barazi gjinore përderisa ka dhunë ndaj grave. Gratë nuk janë vetëm një cak i dhunës por janë bërë edhe cak i sulmit seksual në lufta dhe konflikte. Nuk është vetëm një krim por është edhe një traumë duke i zvogëluar të gjitha normat morale”.

“Ne kemi një numër të grave të cilat kanë mbijetuar këto luftëra këto konflikte dhe drejtësia ndaj tyre ka qenë e paktë. Shumë prej tyre kanë vendosur të heshtin nga frika e stigmatizimit dhe turpit. Këtu në Kosovë kemi një prej praktikave më të mira se çfarë mund të arrihet kur të gjitha palët mund të bashkojnë vullnetin për të arritur diçka. Caktimi i pensioneve është diçka e jashtëzakonshme dhe i përgëzoj të gjithë e për këtë. Mendoj se kjo do të ndikojë për të mirë tek gratë”.

Ndërsa ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshita,j tha se i vjen keq që institucionet e Kosovës nuk kanë qenë të vetëdijesuar për të krijuar më shumë mundësi për viktimat e dhunës seksuale.

“Jam e zhgënjyer që nuk kem qenë aq të vetëdijshëm si institucione që të punojmë çdo kohë çdo vit për t`iu ofruar më shumë mundësinë që të ndihen të barabartë. Përveç aspektit material duhet të punojmë edhe në riintegrimin e tyre”, tha Reshitaj.

Kryetarja e gruas deputet të Kosovës, Blerta Deliu u zotua se do të punoj në plotësimin e kërkesave të viktimave të dhunës seksuale.

Ajo gjithashtu iu bëri thirrje të gjithë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për kompensim nga shteti.

“E kuptoj që jemi vonuar shumë në trajtimin e dinjitetshëm dhe për këtë jemi fajtor të gjithë, institucionet, shoqëria, por më së shumti ne që kemi mundur të bëjmë më shumë për këtë kategori. Kam një kërkesë që të gjitha zonjat të mos hezitojnë të aplikojnë. Do të angazhohem që të sigurojmë pension edhe për ato që kanë kaluar moshën 65 vjeçare, do të angazhohem që në librat, në tekstet shkollore të kenë vendin e merituar që fëmijët tanë të mësojnë për to”.

Edhe Minire Begaj, anëtare e komisionit qeveritar për viktimat e dhunës seksuale premtoi se do të angazhohen që procesi i përfitimit të pensioneve te shkoj si është më së miri.

Të ngjashme