Këshilla si duhet të veproni në raste tërmeti

Prishtinë | 27 Nën 2019 | 00:55 | Nga Ekonomia Online

Qendra Kombëtare Urgjencës Mjekësore në Shqipëri këshillon se çfarë duhet bërë në raste tërmeti:

• Ruani qetësinë sepse kohëzgjatja është vetëm pak sekonda.
• Nëse ndodheni në ambiente të mbyllura, mos dilni jashtë ose të shkoni në dhomat e tjera pasi mund të dëmtoheni nga objektet që mund të bien.
•Shkoni menjëherë poshtë tavolinës, shtratit apo poshtë traut të banesës.
• Kini kujdes nga gjërat që mund t’ju godasin si xhama, mobilje dhe orendi shtëpie.
• Mbani të gjitha dyert hapur.
• Kini kujdes kur zbrisni shkallët, sepse mund të jenë të dëmtuara.
• Nuk duhet të përdorni ashensorin edhe kur nuk ka lëkundje tërmeti në atë moment, mund të bllokohet ose mund të jetë dëmtuar.
• Qëndroni brenda derisa të kenë mbaruar lëkundjet e tërmetit.

Nëse jeni në një ambient të hapur:

• Largohuni menjëherë nga ndërtesat e larta, pemët, shtyllat elektrike pasi mund të goditeni nga materiale të ndryshme.
• Nëse jeni në makinë në lëvizje, ndaloni sa më shpejt dhe në një vend të sigurt.
• Kini kujdes nga pasoja të tjera të tërmetit, si shembjet e urave, rrëshqitjet e dherave, mureve mbajtës të rrugëve si dhe rrjedhjet e gazit.

Situata të tjera:

• Nëse ndodheni në karrocë me rrota: Zini një pozicion të sigurt dhe vijeni karrocën në frena. Mbuloni kokën dhe qafën me krahët tuaj.
• Nëse jeni në një zonë malore, ruhuni pasi mund të ketë rrëshqitje të dheut.
• Nëse jeni pranë detit, jini të vetëdijshëm se tsunamet/ uraganet janë të lidhur me tërmete të mëdha dhe mund të shkaktojnë dallgë shumë të mëdha që arrijnë deri në tokë.
• Nëse jeni në një vend publik të mbushur me njerëz, shmangni panikun dhe mos nxitoni për të dalë. Qëndroni ulur edhe mbuloni kokën dhe qafën me duart e krahët tuaj.
• Mos përdorni shkrepse apo çakmak pasi në ajër mund të ketë gaz nga prishja e linjave.

Çfarë duhet të bëni pas tërmetit?
• Njoftoni numrat e shërbimit të urgjencës 127 dhe 112.
• Sigurohu që ju edhe personat rreth jush janë në gjendje të mirë shëndetësore.
• Nëse dini të jepni ndihmën e parë, ndihmoni personat që mund të kenë nevojë.
• Mos i lëvizni personat që janë lënduar shumë. Ju mund ta rëndoni më tepër gjendjen e tyre.
• Dilni me kujdes nga banesat.
• Mos harroni të vishni këpucët pasi jashtë mund të ketë xhama dhe sende të tjera dhe mund të dëmtoheni nga këmbët.
• Qëndroni vigjilent ndaj dridhjeve të përsëritura që zakonisht ndodhin gjithmonë.
• Lëreni makinën tuaj larg ndërtesave.
• Shmangni përdorimin e makinës nëse nuk është një emergjencë, në mënyrë që rrugët të jenë të lira për automjetet e urgjencës.

• Nëse jeni bllokuar në një ndërtesë apo rrënoja:

•Përdor të parin celularin nëse ke për të njoftuar numrat e shërbimit të urgjencës 127 dhe 112.
• Mos lëvizni.
• Mos shkaktoni pluhur.
• Mbuloni gojën me një shami ose rrobë.
• Godisni (trokisni) lehtë mbi një mur, tub ose pjesë metalike të strukturës, që shpëtuesit mund t’ju gjejnë.
• Përdorni një bilbil nëse e keni.
• Bërtisni vetëm nëse provat e mësipërme nuk kanë dhënë efekt, por kujdes se gjatë bërtitjes mund të thithni sasi të rrezikshme të pluhurit.
• Nëse në ndërtesën e dëmtuar ka zona të sigurta, shkoni me kujdes drejt tyre.
• Sapo të jeni të sigurtë informohuni nga autoritet lokale ose televizionet për gjendjen apo nëse ka parashikime për tërmete të tjera ose pasgoditje.

• Kur të ktheheni në banesë:
• Kontrolloni ndërtesën për çarje, dëmtime duke përfshirë çatinë, oxhaqet dhe themelet.
• Kontrolloni ujin, gazin dhe linjat e energjisë elektrike. Nëse nuhasni erën e gazit hapni të gjitha dyert dhe dritaret edhe largohuni menjëherë nga banesa. Njoftoni shërbimet e urgjencës.
• Qëndroni në gatishmëri pasi tërmeti mund të përsëritet.

Të ngjashme