Këshilli i Prindërve në Komunën e Mitrovicës bën thirrje që nga nesër të filloj procesi mësimor

Prishtinë | 21 Jan 2019 | 15:54 | Nga Ekonomia Online

Sot në ambientet e komunës së Mitrovicës, Këshilli i Prindërve në nivel lokal, në prani të drejtorit të Arsimit, Iset Beka, kanë mbajtur një takim me të gjithë përfaqësuesit e shkollave të Komunës së Mitrovicës, me ç’rast është diskutuar lidhur me qëndrimet e SBASHK-ut edhe pas vendimit të kryeministrit për rritje të pagave.

Në këtë takim Këshilli  i Prindërve të shkollave të komunës së Mitrovicës ka kërkuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës (SBASHK), që ta ndërpresin grevën, duke thënë se i mbështesin kërkesat e tyre për rritje të pagave mirëpo nuk është zgjidhje e duhur ndërprerja e mësimit pasi që fëmijët janë ata që pësojnë në këtë rast.

Kryetari i Këshillit të Prindërve në nivel lokal, Sami Kurti, ka thënë se vazhdimin e grevës nga ana e SBASHK-u, edhe pas vendimit të kryeministrit për rritjen e pagave për mësimdhënës,  ky këshill e konsideron të paarsyeshëm vazhdimin e grevës dhe njëkohësisht bën thirrje që nga nesër të rifilloj procesi mësimor në të gjitha shkollat e Komunës së Mitrovicës.

“Këshilli i Prindërve të komunës së Mitrovicës  fton të gjithë mësimdhënësit që të fillojnë procesin mësimor në çdo shkollë, dhe fëmijët që nga nesër të jenë të ulur nëpër bankat e tyre shkollore”, tha ndër të tjera kryetari i Këshillit të Prindërve, Sami Kurti, njofton Komuna e Mitrovicës përcjellë Klan Kosova.

Në fjalën e tij i pari i Arsimit në Mitrovicë, Iset Beka, tha se

“janë të shqetësuar për gjendjen e krijuar nëpër shkollat tona, të shqetësuar për të tashmen dhe të ardhmen e fëmijëve tanë, andaj pas vendimit të Qeverisë për rritjen e pagave, ne si Drejtori e Arsimit u bëjmë thirrje të gjithë mësimdhënësve për fillimin e mësimit në të gjitha institucionet shkollore në Mitrovicë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme