Këshilli për Siguri i Serbisë të hënën do të diskutojë për Kosovën

Prishtinë | 10 Mar 2017 | 09:48 | Nga

Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Serbisë të hënën do të shqyrtojë vazhdimin e dialogut me Kosovën dhe paralajmërimin për formimin e ushtrisë së Kosovës.

Presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliç njoftoi sot se të hënën, më 13 mars, do të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare, për shkak të kërkesës të Kuvendit të Kosovës për pezullimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit për shtyp nga Zyra e Presidentit, kërkesa për pezullimin e dialogut tregon “vendosmërinë e qartë” të Prishtinës që të vazhdojë në mënyrë të paligjshme me formimin e ushtrisë së Kosovës, me çka, siç shtohet “me qëllim dhe me vetëdije dëmtohet paqja dhe stabiliteti”.

Në deklaratë shtohet se qëllimi i takimit është që në rrethanat e reja, në mënyrë më të mirë të ruhet paqja dhe stabiliteti, si parakusht për përparimin e Serbisë.

Kuvendi i Kosovës sot me vetëm një votë kundër, miratoi Rezolutën për lirimin pa kusht të Ramush Haradinajt në procedurën kundër tij në Francë, me rastin e kërkesës së Serbisë për ekstradim në bazë të aktakuzës për krime lufte të kryera në Kosovë në vitin 1998 dhe 1999.

Në rezolutë, përveç lirimit të pakushtëzuar të Haradinajt, kërkohet që dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit të pezullohet deri në kthimin e Haradinajt në Kosovë.

Të ngjashme