Këshilli Prokurorial dhe Prokurori i Shtetit i përgjigjën akuzave të deputetit Rexhep Selimi

Prishtinë | 06 Pri 2019 | 15:40 | Nga Ekonomia Online

Këshillit Prokurorial dhe Prokurorit te Shtetit kanë reaguar ndaj deklaratave të deputetit të Lëvizjes Vetëvendose, Rexhep Selimi.

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ka thënë se bashkë me Qeverinë duhet të ikë edhe kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi.

“Kur të ikë kjo Qeveri, bashkë me këtë Qeveri duhet të bëjë gati çantën edhe ky Kryeprokuror. Ky kryeprokuror është falsifakatori numër një. Çfarë mekanizmash ka krijuar ky person në drejtësi është për t’u frikësuar”, ka thënë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes mbrëmë në një intervistë në RTK.

Me këtë rast ka reaguar Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Prokurori i Shtetit, duke konsideruar se deklaratat e tilla përbëjnë një gjuhë kërcënuese, dhe tejet tendencioze dhe kanë për qëllim cenimin e integritetit, pavarësisë dhe dëmtimin e imazhit të Kryeprokurorit të Shtetit dhe sistemit prokurorial në përgjithësi.

Reagimi i plotë:

Reagimi i Këshillit Prokurorial dhe Prokurorit te Shtetit ndaj deklaratave të deputetit Selimi në RTK.

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Prokurori i Shtetit konsiderojnë se deklaratat e deputetit Rexhep Selimi, të dhëna në emisionin “Imazh”, në RTK, dhe gjuha e përdorur ndaj Kryeprokurorit të Shtetit, Kryesuesit të Këshillit Prokurorial dhe institucionit të Prokurorit të Shtetit, përbëjnë një gjuhë kërcënuese, të papranueshme dhe tejet tendencioze dhe kanë për qëllim cenimin e integritetit, pavarësisë dhe dëmtimin e imazhit të Kryeprokurorit të Shtetit dhe sistemit prokurorial në përgjithësi.

Me këtë rast ia kujtojmë deputetit Selimi, por edhe tërë opinionit publik se pushteti gjyqësor është pushtet i veçantë dhe se Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Prokurori i Shtetit janë institucione kushtetuese, unike, të pavarura dhe të paanshme, të ndërtuara mbi parimet kushtetuese dhe ligjore.

Prandaj, deklaratat e tilla janë në kundërshtim me ndarjen e pushteteve dhe përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën e Gjyqësorit, përkatësisht, Prokurorit të Shtetit. Në kuadër të këtyre parimeve, Kryeprokurori i Shtetit zgjidhet dhe i përgjigjet vetëm Këshillit Prokurorial të Kosovës, prandaj puna, angazhimi dhe mandati i tij varen vetëm nga detyrat dhe obligimet e përcaktuara, të cilat dalin nga Kushtetuta dhe ligjet e vendit, e jo nga vullnetet politike, grupet e interesit dhe individët e caktuar, kushdo qofshin ata.

Prokurori i Shtetit dhe sistemi prokurorial, të mbështetur fuqishëm nga partnerët ndërkombëtarë janë duke u angazhuar maksimalisht për avancimin e mekanizmave të brendshëm, të cilët do të ndikojnë në rritjen e efikasitetit për luftimin e veprave të ndryshme penale, forcimin e sundimit të ligjit dhe shtetit ligjor, duke ndikuar dukshëm në ngritjen e besimit publik në sistemin prokurorial.

Andaj, në këtë kontekst, një deputet i Kuvendit të Kosovës duhet të jetë shembull i respektimit të organeve zbatuese të ligjit dhe të përmbahet nga deklarimet e tilla që janë kundërshtim me rendin dhe parimet kushtetuese e ligjore. Për më tepër, institucioni i Prokurorit të Shtetit dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, shprehin keqardhje të madhe për joseriozitetin e deklaratave të tilla, të cilat bëhen qëllimisht pikërisht në kohën kur tërë mekanizmat prokurorialë janë vënë në veprime dhe angazhime konkrete në çështjet jetike për forcimin e zbatimit dhe sundimit të ligjit në Kosovë.

Pra, theksojmë fuqishëm edhe njëherë se sistemi prokurorial i Kosovës përbëhet nga institucione profesionale, të themeluara me Kushtetutë dhe ligje, të cilat janë të palëkundura në përmbushjen e misionit, vizionit dhe objektivave të tyre dhe janë të pandikuara nga çfarëdo pretendimi, përfshirë edhe pretendimin e fundit të pamatur, të pavërtetë dhe tendencioz të deputetit Selimi, i cili iu ka shërbyer çdoherë forcave që nuk kanë ndihmuar forcimin e sundimit të ligjit në vendin tonë.

Në përfundim ia bëjmë me dije opinionit publik se tendencat e vazhdueshme që rrjedhin nga deklaratat e tilla politike dhe jopolitike kanë vetëm një emër: Përpjekje e pasuksesshme për njollosje dhe etiketim të vlerave që përfaqësojnë zbatimin dhe sundimin e ligjit në Kosovë.

Të ngjashme