Këshilli Prokurorial shpall konkurs për rekrutimin e 22 prokurorëve të rinj

Prishtinë | 17 Qer 2022 | 14:07 | Nga Ekonomia Online

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në takimin e 216-të të mbajtur të premten, ka marrë vendim që të shpallë konkurs për rekrutimin e 22 prokurorëve të rinj.

Shpalljes së konkursit për rekrutimin e 22 prokurorëve të rinj, fillimisht i parapriu miratimi i Rregullores për Rekrutimin, Provimin, Emërimin dhe Riemërimin e Prokurorëve të Shtetit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë takim, KPK ka themeluar edhe Komisionin për Rekrutim, me përbërje të kryesuesit Jetish Maloku, u.d, të kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, anëtarit të Këshillit, Agron Beka, Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, dhe anëtarë rezervë, anëtari i Këshillit, Veton Shabani dhe  prokuroja në zyrën e Kryeprokurorit të Shteti, Laura Pula.

Tutje, Këshilli gjatë këtij takimi ka themeluar edhe Komisionin për Rishqyrtim, komision ky i cili do të shqyrtojë ankesat të cilat mund të parashtrohen nga kandidatët.

Në përbërje të këtij komisioni, Këshilli ka caktuar prokurorët Shqipdon Fazliu, Arjan Gashi dhe Idain Smailji.

Ndryshe, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, më 13 qershor 2022 ka dekretuar shtatë prokurorë me mandat fillestar, pas propozimit të bërë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Takimi po vazhdon me pika tjera të rendit të ditës. 

Të ngjashme