Këshilli Prokurorial u përgjigjet ashpër Adnan Rrustemit e Enver Hasanit

Prishtinë | 08 Pri 2022 | 16:39 | Nga Ekonomia Online

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave që janë thënë së fundmi lidhur me këtë institucion, pasi unanimisht vendosën që emrin e Blerim Isufajt ta dërgojnë për dekretim tek presidentja e vendit, Vjosa Osmani, shkruan Gazeta Express.

Sipas tyre gjuha që është përdorur së fundmi i “tejkalon të gjitha limitet e një gjuhë institucionale dhe shpërfaqë në mënyrë të qartë tendencat e hapura për rrënimin e sistemit prokurorial”.

Këtu ata u kundërpërgjigjen ndaj ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasanit dhe deputetit të VV-së, Adnan Rrustemi.

“Këshilli i Prokurorial i Kosovës (KPK), gjatë ditëve të fundit, është duke u atakuar në mënyrën më të ulët nga përfaqësuesit politikë, përfshirë këtu edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, individë që kanë kaluar dhe janë duke kaluar nëpër procedura penale dhe nga grupet e interesit, ku, sipas tyre, Këshilli Prokurorial dhe bartësit e funksioneve prokuroriale janë “grup dhe kokë kriminale”. Kjo gjuhë tejkalon të gjitha limitet e një gjuhë institucionale dhe shpërfaqë në mënyrë të qartë tendencat e hapura për rrënimin e sistemit prokurorial”, thuhet në reagim.

Më tutje, nga KPK-jna pohuan se nuk do ta tolerojnë përdorimin e kësaj gjuhe ndaj tyre.

“KPK-ja nuk do të tolerojë që të cenohet integriteti dhe reputacioni i anëtarëve të Këshillit Prokurorial dhe i bartësve të funksioneve prokuroriale. Këshilli Prokurorial i Kosovës, si institucion i pavarur kushtetues, ua bënë të qartë të gjithëve, përfshirë edhe përfaqësuesve politikë, se nuk do t’u bindet interesave politike dhe atyre të grupeve të interesit, pavarësisht tendencave të tyre”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë që Hasani dje e cilësoi Këshillin Prokurorial të Kosovës si grup kriminal. Kjo pasi KPK vendosi që ta dërgojë për dekretim emrin e Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit.

“Për këtë grup njerëzish, në vitin 2015, i kam thënë gjërat që sot po i thonë ambasadat e huaja, pasi është në pyetje një grup, i cili supozohet ta mbrojë ligjin, por, në fakt, është kundër ligjit dhe është duke vepruar në kundërshtim me çdo normë kushtetuese, ligjore dhe etike. Është pikërisht ky grup që unë në vazhdimësi e kam cilësuar si grup kriminal. Veprimtaria e tyre është thirrur në transparencë dhe në publik e kanë bërë gjoja një paraqitje transparente të përzgjedhjes së kandidatëve, ndërkohë që ajo paraqitje shihet qartë që as rregullat e brendshme, të cilat vetë i kanë votuar, nuk i respektojnë. Këtu bëhet fjalë për cenim të çdo norme juridike”, tha Hasani ne Klan Kosova.

Ndërkaq, deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi deklaroi se shteti është i kapur.

“Pardje Rrahman Jashari në arsim dhe sot Blerim Isufaj në kryeprokurori e Agim Ademi në futboll tregojnë që ende është i kapur përbrenda shteti i Kosovës. Akoma kemi shumë punë që ndryshimi i madh popullor i 14 shkurtit 2021 të bëhet edhe demokratizim i shtetit tonë”, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”. 

Të ngjashme