Këshilltari i presidentes Osmani emërohet kundërligjshëm si “përfaqësues” në Selinë e Shenjtë në Vatikan

Prishtinë | 22 Nën 2021 | 13:49 | Nga Ekonomia Online

Pak pasi mori detyrën si këshilltar i presidentes Vjosa Osmani, Vehbi Miftari, është rehatuar në diplomacinë e Kosovës. I njëjti tani do të shërbejë si “përfaqësues” i Republikës së Kosovës për kontakt në Selinë e Shenjtë, ndonëse Vatikani ende nuk na njeh si shtet.

Portali Demokracia.com ka siguruar dokumentin e këtij vendimi të nënshkruar nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz, i cili nuk është bërë transparent për publikun.

Këshilltari i Osmanit, me vendim të MPJ-së, pritet të fillojë realizimin e detyrave të tij nga 1 dhjetori i këtij viti, deri më 30 nëntor të vitit 2025.

Përveç vendimit, i cili nuk u bë asnjëherë publik për media, tepër e dyshimtë është edhe mënyra dhe kriteret përmes të cilave Vehbi Miftari po e merr këtë detyrë.

Këtë çështje e ka komentuar edhe ish-ambasadori i Kosovës në Turqi, Avni Spahiu, i cili thotë se një vendim i tillë është befasues, duke përmendur se nuk dihet mënyra dhe kriteret e përzgjedhjes.

“Mënyrën dhe kriteret e përzgjedhjes nuk i di, ka ardhur si befasi dhe nuk e ka ditë askush”, ka thënë ai për Demokracia.com.

Por, term “përfaqësues” nuk ka në Ligjin për Shërbimin e Jashtëm dhe Miftari nuk e plotëson asnjë prej kritereve që kërkohen me ligj.

Këshilltari i presidentes Vjosa Osmani, Vehbi Miftari, sipas vendimit të çuditshëm të ministres Gërvalla-Schwarz, do të paguhet sa një Ministër Këshilltar, që sipas burimeve brenda MPJ-së paga mujore sillet në afër 3 mijë euro. Edhe pse precizohen se të ardhurat personale të Miftarit do të jenë të barasvlershme me gradën diplomatike Ministër Këshilltar, sipas këtij vendimi, kjo ekuivalencë nuk nënkupton marrjen e kësaj grade.

Nëse llogariten edhe shpenzimet e banimit dhe shpenzimet e tjera që pritet t’i ketë si “përfaqësues” i Republikës së Kosovës në Vatikan, shpenzimet e Miftarit në total për 4 vitet e ardhshme mund të arrijnë në rreth gjysmë milioni euro.

Përkundër që si përfaqësues i Republikës së Kosovës për kontakt me Selinë e Shenjtë, Miftari bëhet pjesë direkte e diplomacisë së jashtme, ky vendim i Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz, nuk bazohet fare në Ligjin për Shërbimin e Jashtëm.

Të ngjashme