Këto janë kërkesat e Sveçlës pas sulmit ndaj atletëve kosovar në Veri

Prishtinë | 09 Maj 2021 | 16:37 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas sulmit me armë ndaj atletëve kosovar, gjatë ecjes në fshatin Kopilicë të Zubin Potokut.

Ai tha se ka kërkuar nga Drejtori i Policisë së Kosovës që ky rast të hetohet sa më parë.

Ai tutje u shpreh se këto incidente na tregojnë që sundimit i ligjit dhe gjendja e sigurisë publike në komunat Veriore të vendit si: Mitrovica Veriore, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok nuk është në nivel të kënaqshëm.

Sveçla po ashtu kërkoi nga Policia e Kosovës rezultate konkrete drejt përmirësimit të situatës së sigurisë publike në veriun e vendit në mënyrë që të gjitha aktivitetet nga qytetarët e Republikës së Kosovës të zhvillohen pa incidente të tilla.

Postimi i plotë:

Sot grupi i atletëve kosovar i organizuar nga “Kosovo Mountain Club” gjatë ecjes se tyre jane sulmuar me armë nga persona të panjohur në fshatin Kopilicë të Zubin Potokut. Fatmirësisht nuk kemi të vrarë apo të plagosur.

Me t’u njoftuar për ngjarjen, kam kërkuar nga Drejtori i Policisë së Kosovës që ky rast të hetohet sa më parë. Ky incident dhe të tjerët si ky, na tregojnë që sundimit i ligjit dhe gjendja e sigurisë publike në komunat Veriore të vendit si: Mitrovica Veriore, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok nuk është në nivel të kënaqshëm.

Forcimi i rendit dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e vendit është synimi kryesor i yni. Këtë mendojmë ta adresojmë përmes dy drejtimeve: së pari duke luftuar krimin dhe kontrabandën në atë pjesë të vendit dhe së dyti duke rritur bashkëpunimin me qytetarët tanë të cilët jetojnë në pjesën veriore të Kosovës, duke biseduar për shqetësimet e tyre të sigurisë, si dhe duke i adresuar ato.

Do të kërkoj nga Policia e Kosovës rezultate konkrete drejt përmirësimit të situatës së sigurisë publike në veriun e vendit në mënyrë që të gjitha aktivitetet nga qytetarët e Republikës së Kosovës të zhvillohen pa incidente të tilla.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme