KFOR-i i ndau mirënjohje Kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu për angazhimin në operacionin “Shpata e Argjendtë”

Prishtinë | 21 Maj 2019 | 17:28 | Nga Ekonomia Online

Operacioni simulativ i organizuar nga KFOR-i bashkë me Komunën e Ferizajt, titulluar “Shpata e Argjendtë” e që u realizua javë më parë, ka lënë mbresa të jashtëzakonshme tek drejtuesit më të lartë të KFOR-it, njësive shumëkombëshe dhe KFOR-it amerikan. Për këtë qëllim, sot në zyrën e Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu u pritën drejtuesit e KFOR-it, ushtarakët Moore, Miyahana si dhe Prager.

Ata erdhën me falënderim për bashkëpunimin e ofruar, suksesin e arritur si dhe mirënjohjen për Komunën e Ferizajt. Nikoqiri i këtij takimi, i pari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Arben Halili si dhe zyrtarin e Emergjencave, Ismajl Mehmeti, shprehën vlerësimin më të lartë për këtë raport bashkëpunimi, duke u zotuar për intensifikim të këtij raporti të mirëfilltë bashkëpunimi, me ndikim direkt në rritjen e gatishmërisë, dijeve dhe përgatitjeve të autoriteteve lokale në reagimin në rastet e fatkeqësive natyrore dhe të tjera.

I pari i Ferizajt, Agim Aliu shprehu vlerësimin dhe konsideratën më të lartë për drejtuesit e KFOR-it për përzgjedhjen që i kanë bërë Ferizajt, qytetin ku zbarkuan qindra ushtarakë javë më parë, për realizimin e operacionit “Shpata e Argjendtë”. Në këtë takim, u diskutua edhe për ushtrimet që do të organizohen muajve në vijim përkitazi me këtë operacion.

Ceremonia e pritjes dhe shkëmbimit të dhuratave e mirënjohjes mes kreut të Komunës së Ferizajt dhe drejtuesve të KFOR-it është tregues i një qasje të re të qeverisjes lokale dhe gatishmërisë se vetëm me bashkëpunim të mirëfilltë mes palëve mund të arrihen rezultatet e duhura dhe mësimet e nxjerra për zbatim në praktikë.

Të ngjashme