KFOR-i vazhdon zëvendësimin e shenjave ekzistuese përgjatë vijës së kufirit administrativ me Serbinë

Prishtinë | 07 Maj 2019 | 18:05 | Nga Ekonomia Online

Përmes një komunikate për media KFOR-i ka njoftuar se në ditët në vijim do të vazhdojë t’i zëvendësojë shenjat ekzistuese përgjatë vijës së kufirit administrativ. Ky aktivitet është i domosdoshëm për të gjitha shenjat që janë në gjendje shumë të keqe, për shkak të dëmtimeve si rezultat i motit.

Shenjat e vendosura përgjatë vijës së kufirit administrativ janë vetëm referenca për personelin e KFOR-it dhe të UNMIK-ut, jo për qytetarët e Kosovës. Shenjat paralajmëruese e tregojnë distancën nga vija e kufirit administrativ, në mënyrë që personeli i KFOR-it dhe i UNMIK-ut mos t’i shkelin marrëveshjet me Forcat e Armatosura të Serbisë duke e kaluar vijën e kufirit administrativ pa dashje.

Vija e kufirit administrativ është një vijë referencë, e vendosur për qëllime ushtarake dhe nuk ka të bëjë me kufijtë zyrtarë të tashëm apo të ardhshëm. Vija e kufirit administrativ dhe shenjat nuk ndikojnë në jetën dhe aktivitetet e qytetarëve në Kosovë.

“KFOR-i nuk merret me çështjet e kufirit apo ndonjë çështje tjetër lidhur me diskutimet e tanishme politike”, shkruhet në njoftimin e dërguar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme