KGJK obligohet t’ia paguajë 70 mijë euro paditësit që qëndroi mbi 3 vite në paraburgim

Prishtinë | 04 Sht 2022 | 21:15 | Nga Ekonomia Online

Gjykata e Apelit i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e të autorizuarve të paditësit E.M. dhe të paditurës Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), dhe ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, në rastin ku KGjK është obliguar t’ia paguajë E.M. shumën prej 70 mijë euro, pasi ai ishte privuar nga liria pa të drejtë nga 16 tetori 2012 deri më 31 maj 2016, gjegjësisht 1 mijë e 323 ditë i kishte kaluar në paraburgim për kryerje të veprave penale terroriste, pjesëmarrje në një grup terrorist dhe shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm.

Një vendim të tillë, Gjykata e Apelit e ka marrë më 2 qershor të këtij viti, nga kolegji i përbërë nga gjykatësit Gëzim Llulluni – (kryetar), Nora Bllaca-Dula dhe Naim Meholli- (anëtarë).

Një shumë të tillë, KGjK është obliguar t’ia paguajë paditësit E.M., me arsyetimin se ai gjatë qëndrimit në paraburgim pa asnjë bazë ligjore, kishte pësuar dëm jomaterial në formë të dhimbjeve shpirtërore për shkak të cenimit të autoritetit, vuajtje psiqike, sepse në sy të qytetarëve ishte shndërruar në vrasës, terrorist, kriminel ordiner, e të tjera.

Në arsyetimin e aktgjykimit të përpiluar nga Apeli, të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se gjykatës së shkallës së dytë, i kanë rezultuar si të pabazuara pretendimet ankimore të palëve ndërgjyqëse, për aplikimin e gabuar të së drejtës materiale, për shumën e gjykuar për paditësin.

“Gjykata e Apelit e ka vlerësuar si të drejtë dhe të rregullt edhe vendimin e gjykatës së shkallës së parë në pjesën e refuzuar të tij, për shkak se pjesa e refuzuar e kërkesëpadisë për dëmin jomaterial është përfundimi i drejtë. Edhe Gjykata e Apelit ka vlerësuar se kërkesëpadia ishte shumë e lartë dhe në shpërputhje me natyrën e dëmeve që i ishin bërë paditësit, e gjithashtu në shpërputhje edhe me qëllimin e kompensimit për dëmin jomaterial”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e Apelit.

Ndërkaq, me vendimin e Gjykatës së Ferizajt të marrë nga gjykatësi Burim Emërllahu më 7 gusht 2020, dhe të siguaruar nga “Betimi për Drejtësi”, e paditura KGjK ishte obliguar që paditësit t’ia paguajë edhe 208 euro për hartimin e padisë, 540 euro e 80 centë për përfaqësim në dy seanca, 150 euro për ekspertizë të psikiatrisë dhe 20 euro për taksë gjyqësore.

Ndërkaq, ishte refuzuar si e pabazuar pjesa e kërkesëpadisë ku E.M. kishte kërkuar që të detyrohet e paditura që në emër të kompensimit të dëmit jomaterial për dhimbjet e pësuara shpirtërore për shkak të cenimit të autoritetit, nderit, lirive dhe të drejtave të personalitetit, t’ia paguajë shumë prej 108 mijë e 760 euro.

Ndryshe, paditësi E.M., ka paditur Këshillin Gjyqësor të Kosovës, me pretendimin se ai kishte qëndruar nën masën e paraburgimit nga 16 tetori i vitit 2012 deri më 31 maj 2016, dhe ndaj tij ishte udhëhequr procedura penale, duke u ngarkuar se ka kryer vepra penale terroriste, pjesëmarrje në një grup terrorist dhe shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm.

Lidhur me këtë, Gjykata Themelore në Gjilan, më 16 dhjetor 2017 e kishte liruar paditësin nga këto akuza, të cilin vendim e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit më 24 shtator të vitit 2018.

“…me aktgjykim të Gjykatës Themelore në Gjilan – Deprtamenti për Krime të Rënda , P.nr…, të datës 16.12.2017, paditësi lirohet nga të gjitha akuzat, i cili aktgjykim është vërtetuar me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës në Prishtinë, i datës 24.09.2018, PAKR.nr…”, thuhet në arsyetimin e këtij aktgjykimi..

Lidhur me këtë rast, “Betimi për Drejtësi” është informuar nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Ferizaj, Gentiana Hoxha, se lënda në fjalë tashmë gjendet në Gjykatën Supreme për vendosje sipas revizionit.

Të ngjashme