KGjK-së i kërkohet bashkëpunimi me KQZ-në dhe me institucione tjera

Prishtinë | 06 Gus 2020 | 18:23 | Nga Ekonomia Online

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), ka mbajtur takimin e 236-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Skender Çoçaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Me rastin e përfundimit të mandatit të anëtares të KGjK-së, Makifete Saliuka, njëherësh zëvendës kryesueses së KGjK-së, Kryesuesi Çoçaj, shfrytëzoi rastin që në emër të Këshillit, të nderoi anëtaren Saliuka me një mirënjohje duke e falënderuar për kontributin dhe angazhimin e saj gjatë periudhës si anëtare dhe zëvendës kryesuese e Këshillit.

Anëtarët e Këshillit aprovuan draft Rregulloren mbi Organizimin dhe Veprimtarinë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Rregulloren për Autoritetin, Organizimin dhe Funksionimin e Njësisë së Inspektimit Gjyqësor.

Gjatë këtij takimi, anëtarët e Këshillit e autorizuan Kryesuesin e KGjK-së për nënshkrimin e draft Memorandumin të Bashkëpunimit në mes të institucioneve KQZ, PK, PSh, PZAP, KGjK dhe KPM, qëllimi i të cilit është ngritja e nivelit të bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm institucional për të gjitha fazat e procesit zgjedhor.

Këshilli themeloi Komisionin për Rishqyrtim të ankesave të kandidatëve për ngritje në detyrë si dhe refuzoi kërkesën e gjyqtarit të pensionuar, Ramë Hyseni, për kompensimin e pushimit vjetor të pashfrytëzuar për vitin 2020, duke e konstatuar atë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Pas shumë diskutimeve, Këshilli vendosi që pika 6 e rendit të ditës – Shqyrtimi i propozimit për shpërndarjen automatike të lëndëve përmes SMIL për rastet e dhunës në familje dhe pika 7 e rendit të ditës – Shqyrtimi i propozimit për caktimin e anëtarëve të paneleve në mënyrë automatike përmes SMIL në Gjykata Themelore, të shtyhen për takimin e radhës.

Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me dyer të mbyllura për shqyrtimin e disa rasteve disiplinore.

Të ngjashme