Kjo është gjendja momentale e ndotjes së ajrit në Kosovë

Prishtinë | 11 Jan 2020 | 08:03 | Nga Ekonomia Online

Ajri në kryeqytet është ndotur sërish në përmasa të rrezikshme. Nga matjet e fundit që janë bërë nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, ndotja e ajrit ka arritur në shkallën 203 të ndotjes.

Në bazë të indeksit të cilësisë së ajrit nga Ambasada Amerikane, e cila është regjistruar sot në orën 06:00, ajri në këtë shkallë paraqet ajër të pashëndetshëm.

Sipas ambasadës, sot ajrin më të ndotur e ka Prishtina, pasuar nga Drenasi e Mitrovica.

Ndryshe, ditë më parë Agjencia Evropiane e Mjedisit ka njoftuar se Kosova kishte 3,700 vdekje në vit nga ajri i ndotur, duke u renditur e para në Evropë. Me fjalë të tjera, ajri i ndotur ka shkaktuar humbjen e jetës së 0.2% të popullsisë.

Agjencia Evropiane e Mjedisit në raportin “Cilësia e ajrit në Evropë – 2018” ka publikuar të dhënat për vdekjet në vlerë absolute.

Raporti paraqet të dhënat më të fundit zyrtare të cilësisë së ajrit të raportuara nga më shumë se 2 500 stacione monitorimi dhe i referohet vitit 2015.

Në Serbi, ky tregues është 0.18% nga numri i popullsisë, rreth 13 mijë vdekje, dhe në Maqedoni 0.14% të popullsisë ose 3,000 vdekje, duke u renditur përkatësisht në vend të dytë dhe të tretë në Evropë.

Pavarësisht shifrave, sipas këtyre matjeve, Maqedonia rezulton të ketë përqendrim më të lartë të grimcave të ndotjes së ajrit sesa të gjithë vendet tjera të rajonit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme