KLGI: Komunikimi efektiv, instrument për rritjen e besueshmërisë

Prishtinë | 09 Shk 2017 | 11:13 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në kuadër të programit “Një përpjekje drejt një qeverisje lokale të qëndrueshme dhe funksionale”, Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) ka nisur punëtorinë me temën “Ngritja e kualitetit të komunikimit dhe PR në mes të komunave dhe aktorëve të tjerë lokal”, e cila ka për synim forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe mbikëqyrjes në nivelin lokal si shtyllat kryesore të qeverisjes së mirë.

Kjo punëtori ka për fokus zyrtarët për informim, mediat dhe shoqërinë civile pasi që shkëmbimi i pikëpamjeve, ideve dhe eksperiencave mes tyre në nivel lokal mund të sjell ekspertizën e duhur, dhe në të njëjtën kohë kuptim të plotë, angazhim dhe mbështetje.

Punëtoria do të shërbejë për të ndihmuar komunat dhe aktorët lokalë në fuqizimin e komunikimit efektiv si mekanizëm i rëndësishëm për të përcaktuar agjendat e përbashkëta të zhvillimeve lokale. Andaj, inputi i komunave dhe aktorëve lokal për të zgjedhur problemet lokale do të ketë më shumë rëndësi në rast se komunikimi merr kahen e duhur.

Driton Selmanaj, drejtor ekzekutiv në organizatën Demokraci Plus, tha se komunikimi në mes të komunës dhe aktoreve të tjerë është i rëndësishëm, raporton Ekonomia Online.

Ai theksoi se institucionet publike ende nuk e kanë kuptuar këtë rëndësi, “është duke përfunduar mandati i Qeverisë dhe ne ende nuk e dimë sigurt kush është zëdhënës i Qeverisë, ndërkohë që nuk dihet as për komuna. Kjo i bie që njerëzit që i udhëheqin institucionet publike nuk e kanë kuptuar rëndësinë e komunikimit”, ka thënë Selmanaj.

“Ky është një problem gjeneral që nuk po dimë se si ta transmetojmë punën dhe mospunën. Nuk e di as sot nëse komunat kanë strategji të komunikimit, bile së paku në disa parime bazë. Ne e kemi bërë një platformë online dhe kjo është e gatshme për krejt Kosovën që na e ka falur NDI-ja”, tha Selmanaj.

Sipas tij, kjo platformë mundëson komunikimin e qytetarëve me komunat.

“Kemi një zotim prej kominës së Mitrovicës dhe Graqanicës, por kjo do të zgjerohet për krejt komunat dhe kjo është platformë që i jepet komunave falas. Informimi është baza e parë e fillimit të bashkëpunimit”, tha ai.

Fatmir Haxholli, këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale duke iu drejtuar zyrtarëve për komunikim të komunave tha se informimi i qytetarëve është krucial dhe se personat që e kanë këtë mandat dhe në aspektin politik, zyrtarëve për informim iu kërkohet llogaridhënie nga qytetarët.

“Me zhvillimin e sistemeve elektronike tani është më e thjesht që të merren informatat më të shpejta. Ne duhet të jemi në trend me zhvillimet elektronike”, ka thënë Haxholli.

Sipas tij, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal i ka ndihmuar komunat që t’i uniformizojnë disa rregulla, por se kjo nuk është bërë në të gjitha komunat.

“Ju keni përgjegjësi ndaj qytetarëve, dhe kjo është e lidhur ngushtë me komunikimin, shpesh bëhen punë të mira dhe njerëzit nuk e dinë çka ndodh, sepse diku ka çaluar zinxhiri i komunikimit, zyrtarët mendojnë se nuk duhet me komunikuar edhe për vështirësitë”, ka thënë Haxholli.

Punëtoria ka për synim edhe prezantimin e rëndësisë së komunikimit të brendshëm, formulimin e strategjive për komunikim efektiv, si dhe metodat e komunikimit efektiv.

Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Të ngjashme