Schlumberger: Do të mbetem mik dhe avokat i Kosovës

Prishtinë | 29 Sht 2016 | 17:22 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ambasadori i deritanishëm i OSBE-së, Jean-Claude Schlumberger, thotë se po largohet nga Kosova me përshtypje shumë pozitive “pavarësisht disa tensioneve”. Sipas tij, Kosova ka vazhduar fuqizimin e shoqërisë multi-etnike.

Këto komente ai i ka bërë gjatë takimit lamtumirës të organizuar nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), ku merrnin pjesë edhe kryetarë të komunave. Me këtë rast KLGI i ndau çmim për punën e tij në përmirësimin e qeverisjes lokale në Kosovë.

Gjatë këtij takimi, Ambasadori Schlumberger pati një diskutim të përbashkët lidhur me sfidat, të arriturat dhe perspektivën e komunave në raport me demokratizimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të nivelit lokal.

Në këtë takim, drejtori ekzekutiv i KLGI-së, Besnik Tahiri, ka theksuar se OSBE ka qenë e angazhuar gjatë gjithë kohës në përkrahjen e proceseve të ndryshme dhe përkrahjen për kryetarët e komunave.

Nga ana e tij, ambasadori Schlumberger u shpreh i lumtur për paraqitjen e tij zyrtare dhe i nderuar të pranojë këtë çmim nga Instituti KLGI, i cili drejtohet nga Besnik Tahiri, ekspert i qeverisjes lokale.

Ambasadori u shpreh se misioni i tij gjatë katër viteve të fundit ka qenë i dobishëm për komunat e Kosovës dhe administratat. Ai tha se reforma është proces i vazhdueshëm dhe trashëgimtari i tij në këtë post do të vazhdojë t’iu japë po kaq rëndësi rolit të komunave dhe kryetarëve të komunave.

“OSBE-ja do të vazhdojë bashkëpunimin me KLGI, kryetarë të komunave dhe institucionet në të gjitha nivelet. E dimë që reforma e qeverisjes lokale është proces i vazhdueshëm, por edhe trashëgimtari im në këtë post do t’u jap po kaq rëndësi komunave. Çmoj lartë përkushtimin tuaj në qeverisjen lokale, përmirësimin e cilësisë për qytetarët tuaj. OSBE do të vazhdojë t’ju përkrahë edhe në punën tuaj të vazhdueshme”.

“Po lë Kosovën me përshtypje shumë pozitive ‘pavarësisht disa tensioneve’. Kosova ka vazhduar me një hap që shkon përtej të zakonshmes dhe po fuqizon një shoqëri multi-etnike. Rruga tregon për rezultate të duhura. Ekonomia edhe pse ka vështirësi po rritet. OSBE dhe misioni i saj në Kosovë shihet si një kontribuues në këtë progres…”

Kryetari i Hanit të Elezit, Refki Suma, theksoi se kanë pasur takime të rregullta me përfaqësues të OSBE-së, mision ky i cili monitoron edhe punën e Kuvendit Komunal.

“Kjo është bërë në sajë të bashkëpunimit tonë”, ka thënë Suma, duke falënderuar Ambasadorin e OSBE-së për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme.

Kurse, kryetari i Komunës së Kamenicës, Begad Sinani, u shpreh se si kryetar është i obliguar të krijojë raporte të mira me shoqërinë civile, e institucione tjera vendore e ndërkombëtare.

Pjesëmarrës në këtë takim ishin kryetarë të komunave të Kosovës, përfaqësues nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal – MAPL, përfaqësues nga Zyra e Auditorit Gjeneral dhe anëtarë të rrjetit Akademia për Qeverisje Lokale dhe Programi për Politika Strategjike Zhvillimore si programe edukative dhe trajnuese të Institutit KLGI.





Të ngjashme