Klinaku i OVL-së: Ish-krerët e UÇK-së po mbahen peng, Specialja po dëshiron t’i arsyetojë shpenzimet milionëshe

Prishtinë | 22 Dhj 2021 | 09:34 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ushtruesi i detyrës së kreut të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, në një intervistë për Ekonomia Online tha se e ish-krerët të UÇK-së po mbahen peng nga Specialja dhe po iu shkelen të drejtat.

Sipas tij, është dashur që hetimet të kryhen e më pas të ngrihet aktakuza. E krejt kjo thotë se po ndodh për shkak të arsyetimit të shpenzimeve.

“Prej se i kanë marrë shokët tanë që ne e konsiderojmë që e i kanë marrë peng, sepse aktakuza kur t’i ngrihet dikujt nuk ka nevojë që Prokuroria pastaj të merret me hetime. Është dashtë që të gjitha hetimet të kryhen pastaj të ngrihet aktakuza”.

“I kanë zvarritë këto seanca për shkak të milionave që i shpenzojnë ata, i arsyetojnë ato shpenzime që i kanë që do të duhej të kishte së paku një drejtësi të mirëfilltë atje, por atyre po i shkelen shumë drejta, qoftë që mbahen në paraburgim në kohë të gjatë qoftë që nuk i lejojnë që të mbrohen në liri derisa të fillojë procesi gjyqësor”.

Klinaku tha se vazhdimisht e kanë kundërshtuar themelimin e kësaj gjykate dhe se kanë kërkuar që të formohet gjykatë vendore.

“Ne si organizatë, këshilli drejtues organi më i lartë i saj qysh prej datës 7 maj 2011 kemi kundërshtuar këtë drejtësi për shkak se kanë bërë skandale të ndryshme, kanë montuar prova dhe kanë zhdukur prova. Kanë dënuar njerëz, edhe pa fakte, apo pa ndonjë dëshmitar. Për këtë arsye ne kur e kemi kundërshtuar Gjykatën Speciale kemi kërkuar që të formohet një gjykatë vendore dhe të ndiqen të gjitha krimet e luftës që kanë ndodhur në Kosovë”.

Klinaku aktakuzën kundrejt ish-krerëve të UÇK-së e quan banale dhe sipas tij po akuzohet e tërë lufta çlirimtare.

“Ata aktakuzën e kanë për të gjitha trevat që kanë ndodhur në Kosovë dhe për shumë raste që pjesëtarët e UÇK qoftë në Hagë, qoftë në procese gjyqësore të UNMIK-ut edhe të EULEX-it janë shpallur të pafajshëm dhe akuzohen tash krerët e UÇK-së për aktakuza që janë liruar të tjerët si drejtues të luftës”.

“Pastaj banale është akuza ndaj tyre që quhen ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’, kjo me të vërtetë do të duhej të ishte shqetësim edhe për institucionet e Kosovës por edhe për shoqërinë në përgjithësi”.

Klinaku thotë që prova për akuzimin e tyre nuk do të ketë e se herët a vonë do të shpallen të pafajshëm, raporton EO.

“Akuzohen për diçka apo për të tjerët që i kanë kryer ato procese gjyqësore dhe drejtuesit e luftës vetëm mbahen peng atje me vite të tëra, por në fund procesi gjyqësor do t’i shpall të pafajshëm sepse UÇK-ja nuk ka kryer krime lufte dhe vazhdimisht e kemi kundërshtuar për shkak se edhe nuk po ndiqen krimet dhe masakrat që i ka shkaktuar Serbia pushtuese dhe serbët në Kosovë”.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar me 6 akuza  për krime kundër njerëzimit, si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Të ngjashme