KMDLNj: Gjeneral Majori Shaban Shala, meriton më shumë respekt institucional!

Prishtinë | 09 Jan 2019 | 12:53 | Nga Ekonomia Online

Ditë më parë u përkujtua 7-vjetori i vdekjes së hershme të Gjeneral majorit Shaban Shala që prehet në Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë.

Gjeneral majori Shaban Shala ishte veprimtar i pakompromis për çështje kombëtare dhe tërë jetën ia kushtoi këtij ideali për liri, çlirim dhe bashkim kombëtarë gjatë aktivitetit ilegal shumëvjeçar, gjatë vuajtjes së dënimit si i burgosur politik, si aktivist për të drejtat e njeriut, fillimisht  kryetar i KMDLNj-së në Drenas e pastaj si nënkryetar i KMDLNj-së në Prishtinë për të vazhduar luftën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut si ushtar dhe epror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe, së fundi , si epror i TMK-së luajti rol të rëndësishëm në transformimin e UÇK-së duke këmbëngulur që TMK, në kuadër të armatimit modest, të mbajë edhe një numër të armëve të gjata e që kundërshtohej nga ndërkombëtarët.

Me këmbënguljen dhe vendosmërinë e tij Gjeneral major Shaban Shala e mbrojti të drejtën që TMK të ketë armë të gjata duke krijuar një bërthamë për transformim të mëvonshëm në Ushtri të Kosovës.

Shqetësimi i KMDLNj-së është se edhe pse kaluan 7 vite kur Gjeneral major Shaban Shala ndërroi jetë, varri ku prehet ai ka mbetur i parregulluar për dallim që të tjerët dëshmorë që prehen aty e kanë të rregulluar varrin në mënyrë uniforme e që edhe e kanë merituar.

Vendi ku prehet Gjeneral major Shaban Shala ka mbetur nën përkujdesjen familjarëve, miqve dhe shokëve ndonëse kjo duhet të jetë nën përkujdesje të Agjencionit për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale dhe i cili , deri më tani ka dështuar në rastin e Gjeneral majorit Shaban Shala.

KMDLNj , këtë moskujdes e konsideron si neglizhim institucional dhe përgjegjësi shtetërore aq më parë që Gjeneral majori Shaban Shala, që nga fillimi ka qenë aktivist politik, aktivist për të drejtat e njeriut dhe epror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nëse brenda një afati të caktuar kohorë, institucionet shtetërore nuk ndërmarrin veprime të duhura dhe të domosdoshme për trajtimin me respekt dhe bazuar në merita të lokacionit ku prehet Gjenaral majori Shaban Shala, KMDLNj do të thërras shokët, miqtë dhe dashamirët e Gjeneral majorit që me kontributin e tyre ta rregullojnë varrin e Gjeneral majorit Shaban Shala duke e konsideruar si kontribut simbolik në përputhje me sakrificën e Gjeneral major Shaban Shala!

Si edhe më parë, KMDLNj insiston që Dita e Dëshmorëve të Kombit të shënohet në tërë Kosovën në mënyrë institucionale ndryshe , nëse veprohet si deri më tani që përkujtime të bëhen me organizime familjare dhe për qëllime politike do të krijohet një anarki, me pak pjesëmarrës dhe kompromituese për vet ata që e bëjnë organizimin.

KMDLNj, kërkon që Komplekset Memoriale të mirëmbahen sikur që veprohet në vendet e tjera ndërkaq që këto Komplekse në Kosovë janë nën standardet minimale.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme