KMDLNj: Greva nuk e përmirëson cilësinë e arsimit

Prishtinë | 15 Jan 2019 | 11:28 | Nga Ekonomia Online

Këshilli për Mbrojtjen, të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ndaj grevës së SBASHK-ut.

KMDLNj përmes një komunikate për media, thotë se mbron të drejtën e organizimit sindikalist dhe grevën si mundësi për arritjen e qëllimeve për përmirësimin e kushteve të punëtorëve të arsimit, në rast se shteren të gjitha mundësitë tjera e që mund të realizohen përmes dialogut me autoritetet përgjegjëse, në rastin konkret me MASHT-in dhe Qeverinë e Kosovës.

Megjithatë, KMDLNj, vlerëson se nuk janë shfrytëzuar të gjitha mundësitë e dialogut dhe se greva do të prodhojë efekte negative sidomos për fëmijët parashkollorë dhe nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme si edhe për personelin arsimorë (mësimdhënësit) sikur edhe për prindërit.

“Kërcënimi i SBASHK-ut se kjo grevë mund të zgjasë për muaj të tërë nënkupton se ky vit shkollorë mund të jetë i humbur për nxënësit e që do të ishte dëm i madh dhe i pariparueshëm për nxënësit. Kërkesa për grevë që mund të zgjasë për muaj të tërë, në fakt është përpjekje të legalizohet kushtëzimi për arritjen e qëllimeve dhe si i tillë është i papranueshëm dhe i dëmshëm”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

Po ashtu KMDLNj thekson se SBASHK-u dhe Qeveria e Kosovës duhet të dialogojnë për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, gjithnjë duke pasur parasysh mundësitë buxhetore të qeverisë si dhe nevojat e arsyeshme të mësimdhënësve për përmirësimin e statusit të tyre material.

Pas kësaj greve e cila nuk ka afat të caktuar, KMDLNj pyet se si do të kompensohen orët e humbura dhe KMDLNj do të kundërshtojë fuqishëm kompensimin e këtyre orëve gjatë pushimeve të fundjavës, festave apo pushimeve të parapara sepse sipas kësaj organizate, nxënësit nuk janë fajtorë për këto humbje dhe përgjegjësia bie mbi ata që kontribuojnë humbjen e orëve përkatësisht mbi SBASHK-un.

KMDLNj ka shtuar se i janë drejtuar prindër që i dërgojnë fëmijët me pagesë në entet parashkollore (çerdhe) duke kërkuar që për aq kohë sa çerdhet nuk ofrojnë shërbime për fëmijët e tyre, aq kohë të lirohen nga pagesa për çerdhe për faktin që e konsiderojnë se është e padrejtë të paguajnë për shërbime që nuk iu ofrohen.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme