KMDLNJ: I paraburgosuri që ka nevojë për trajtim shëndetësor jashtë vendit

Prishtinë | 26 Maj 2021 | 12:57 | Nga Ekonomia Online

Monitorues të KMDLNj –së kanë vizituar të paraburgosurin, T.M., 37 vjeç, me banim në Prishtinë e  që po trajtohet në QKUK –ë  për faktin se në Burgun e Dubravës nuk ka mundësi të trajtohet sa dhe si duhet. Familja e T.M. i është drejtuar KMDLNj –së me një deklaratë të cilës i ka bashkangjitur një dosje mjekësore me të cilën vërteton se gjendja shëndetësore e anëtarit të familjes, tash të paraburgosur është e rëndë, me tendencë të përkeqësimit nëse nuk i ofrohet ndihma e duhur mjekësore dhe se këto shërbime, përkatësisht analiza / biopsi nuk bëhen në QKUK-ë apo në ndonjë spital privat  në Kosovë përveç në Shkup,  ku është trajtuar për një kohë të gjatë. I paraburgosuri T.M. është vetëm me një veshkë dhe ate e ka të transplantuar andaj e ka një gjendje delikate shëndetësore e cila kërkon trajtim profesional e që, në vendin tonë dhe në rrethanat aktuale  nuk mund t’i ofrohet. Gjatë intervistimit, i paraburgosuri T.M. i deklaroi KMDLNj –së se nuk ka vërejtje në sjelljen e personelit shëndetësor në QKUK –ë, të cilët, në kuadër të mundësive dhe kushteve e bëjnë angazhimin maksimal por se analizën e duhur nuk kanë mundësi ta bëjnë e që mund të ndikojë në përkeqësimine gjendjes shëndetësore, me rrezik që ta humbë edhe veshkën e transplantuar dhe të përfundojë në dializë.

Gjatë trajtimit që i bëhet konsumon 13 barëra të ndryshme sikur që merr terapi për COVID -19 pasi është infektuar për herë të dytë e që është qartësuar në raportin e konsiliumit mjekësorë.

Për analizën / biopsinë, i paraburgosuri T.M. duhet të shkojë në një Spital privat në Shkup e që, për shkak se është i privuar nga liria dhe nën hetime e ka të pamundur ta bëjë këtë, pa lejen e gjykatës.

KMDLNj –ë, nuk ka mandat të komentojë natyrën e veprës për të cilën hetohet dhe mbahet i paraburgosur T.M. dhe as ta paragjykojë rastin për të cilin edhe është privuar nga liria,  mirëpo,  ka mandat që të angazhohet dhe të kërkojë që të paraburgosurit t’i ofrohet mundësia për trajtim të nevojshëm dhe të domosdoshëm shëndetësor në mënyrë që t’i mos i  rrezikohet jeta dhe e cila e drejtë është e garantuar me të gjitha dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria siç janë; Ligji për Ekzekutim të Sanksioneve Penale sikur edhe Rregullat Evropiane të Burgjeve, ndërkaq, si standard edhe më i lartë në këtë drejtim janë Rregullat e Nelson Mandeles. Në momentin e privimit nga liria, qoftë si i paraburgosur apo i dënuar, Shërbimi Korrektues i Kosovës e merr tërë përgjegjësinë për shëndetin e të paraburgosurit dhe krijon kushte për trajtim profesional, në zbatim të një vendimi të Gjykatës kompetente që vendosë për të paraburgosurin, deri në çastin kur lirohet ose dënohet dhe dërgohet në mbajtje të dënimit me burg efektiv, pas plotfuqishmërisë së vendimit.

KMDLNj kërkon nga SHKK –ë dhe Gjykata kompetente që me seriozitetin më të madh të trajtojnë rastin e të paraburgosurit T.M. duke ia mundësuar kushtet për trajtim përkatës dhe të domosdoshëm, si  njëra ndër të drejtat elementare të njeriut të personave të privuar nga liria dhe si detyrim i Gjykatës përkatëse dhe SHKK-së, për respektim, mbrojtje  dhe zbatim të këtyre të drejtave.

Të ngjashme