KMDLNj-ja: Të burgosurit meritojnë më shumë vëmendje në kohën e pandemisë

Prishtinë | 14 Pri 2020 | 12:55 | Nga Ekonomia Online

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka vlerësuar se edhe të burgosurit duhet të kenë të drejtat që iu takojnë dhe meritojnë më shumë vëmendje në kohën e pandemisë

Është një përshtypje e gabuar se personat e privuar nga liria, të burgosurit dhe të dënuarit ,me privimin e tyre nga liria, privohen edhe nga të drejtat e njeriut, ka vlerësuar Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

“Vërtetë ata privohen nga disa të drejta (me vendim të formës së prerë të gjykatave përkatëse) por jo edhe nga të drejtat elementare siç janë; e drejta për jetë, e drejta për trajtim të dinjitetshëm që e përjashton trajtimin çnjerëzorë, e drejta për mbrojtje shëndetësore, e drejta për punë dhe shkollim (në mjedisin ku qëndrojnë përkohësisht), e drejta për krijim të familjes dhe ruajtjes së familjes, e drejta për votim në zgjedhje lokale dhe të përgjithshme dhe të tjera. Të dënuarit me një vendim të formës së prerë, kanë të drejtë të kërkojnë falje nga Presidenti, lirim me kusht kur plotësojnë kushtet e parapara me Ligj dhe ndërprerje (pezullim) të përkohshëm të dënumit. Për të dënuarit që punojnë vlenë Ligji i Punës, përjashtuar këtu lartësia e kompensimit për punën që e bëjnë”, është thënë në komunikatë. .

Sipas tyre, deri para një viti, të dënuarit kanë përfituar pak nga Paneli për Lirim me Kusht ( tash është gjendje më e mirë). Kurse falja nga Presidenti ka qernë simbolike dhe tallje me kërkesat e të dënuarve, sikur edhe shpërfillje e skajshme e punës së mirë të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

KMDLNj-ja një kohë të gjatë ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të miratojë Ligjin për Amnisti, e që ka qenë premtim elektoral i disa ministrave të Drejtësisë.

“Ky ligj asnjëherë nuk është miratuar e që ka shkaktuar revoltë dhe mosbindje deri në grevë të urisë të personave të privuar nga liria, e ka vështirësuar në masë të madhe punën e Shërbimit Korrektues të Kosovës si dhe punën e organizatave monitoruese të cilat, përveç mbrojtjes së të drejtave të personave të privuar nga liria ka dalë në mbrojtje edhe të stafit korrektues duke ndërmjetësuar në tejkalimin e situatave që lehtësisht kanë mundur të përshkallëzohen duke shkaktuar viktima dhe pasoja të pa-parashikueshme”, ka vazhduar komunikata.

Të ngjashme