KMDLNj: Jusuf Buxhovi do të dëshmonte shkëlqyeshëm kundër UÇK-së

Prishtinë | 12 Kor 2019 | 15:13 | Nga Ekonomia Online

Këshilli për Mbrotjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar përmes një komunikate për media rreth deklaratave të historianit dhe njërit nga themeluesit e LDK-së, Jusuf Buxhovi.

Në këtë reagim KMDLNJ-ja ka thënë se Buxhovi do të ishte një dëshmitar i shkëlqyeshëm për Prokurorinë Speciale të Kosovës.

“Realisht, z. Buxhovi del të jetë i informuar përtej dyshimeve se kush qëndron prapa vrasjes së 102 anëtarëve të LDK-së sepse e ndërlidh me “luftën e papastër të UÇK-së” e që mund të jetë një mundësi e shkëlqyeshme për Prokurorinë Speciale të Kosovës e cila duhet ta intervistojë z. Buxhovi në mënyrë që, më në fund të fillojë të zgjidhet lëmshi i vrasjeve të pasqaruara të aktivistëve politikë të LDK-së sikur që familjarët e të vrarëve të lirohen nga ankthi i pritjes për ndriçimin e këtyre rasteve”.

KMDLNJ-ja ka thënë se nëse Buxhovi nuk ofron fakte që e argumenton luftën e papastër të UÇK-së për vrasjen e 102 aktivistëve të LDK-së, atëherë duhet të thirret në përgjegjësi ligjore për shtrembërim dhe paraqitje të pavërtetë të fakteve.

KMDLNJ-ja ka kërkuar që të ndalet linçimi publik ndaj Jusuf Buxhovit.

“Fjala publike bartë përgjegjësi publike por edhe përgjegjësi ligjore, nëse del të mos jetë e vërtetë. Në këtë kontekst, KMDLNj kërkon të ndalet sulmi dhe linçimi publik ndaj z. Buxhovi, deri në përfundim të rastit i cili duhet të hetohet . Linçimi publik paraqet kërcënim për sigurinë dhe jetën e z. Buxhovi prandaj duhet të ndërpritet sikur që ndaj kërcënuesve duhet të veprohet në përputhje me ligjet në fuqi”.

Reagimi i plotë:

Jusuf Buxhovi  , historian , publicist dhe njëri nga themeluesit e LDK-së , në një intervistë në Rubikon , në KTV-ë, më datë 11 korrik 2019 , ora 20.00 përveç shumë pikëpamjeve tjera për zhvillimet politike në Kosovë , para , gjatë dhe sidomos pas përfundimit të luftës trajtoi edhe një temë , me shumë rëndësi e që deri më tani , përveç përfoljeve , askush nuk arriti t’i zbardhë ato. Bëhet fjalë për vrasje të shumta të aktivistëve politikë , kryesisht të LDK-së dhe pjesëtarëve të ish – UÇK –së. Ç’është e vërteta , në perudhën pas përfundimit të luftës u vranë shumë pjesëtarë të minoriteteve , kryesisht serbë e që mbetën të pazbardhura ende dhe me të cilët z. Buxhovi nuk merret fare. Vrasja e aktivistëve politikë dhe disa figurave të rëndësishme të LDK-së , që nga përfundimi i luftës kanë shkaktuar shumë pakënaqësi te familjarët e tyre , me plotë të drejtë ndërkaq që nga subjektet politike është keq-përdorur si armë për vota dhe për ta luftuar njëri – tjetrin. Familjarët e të vrarëve asnjëherë nuk kanë pushuar së kërkuari që këto raste të zbardhen dhe të sigurohet drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre. Edhe organizatat për të drejtat e njeriut si dhe KMDLNj kanë kërkuar që të hetohen këto vrasje , përgjegjësit për krime të dalin para drejtësisë dhe të mos përdoren për qëllime politike.

Ndërkombëtarët e instaluar në Kosovën e pasluftës kanë pasur kapacitet profesional , teknik dhe mundësi tjera që në mënyrë efikase të hetojnë këto raste mirëpo janë përqendruar vetëm në zbardhjen e rasteve të vrasjes së pjesëtarëve të minoriteteve e që edhe këtu kanë dështuar. Për shkak të oportunitetit politik dhe ruajtjes së situatës së sigurisë , ndërkombëtarët , vrasjet të cilësuara si politike i kanë përdorur si mjet presioni dhe frikësimi ndaj njerëzve të politikës duke i disiplinuar ata dhe duke i mbajtur nën kontroll. Ndryshe , nuk mund të sqarohet fakti se hetimet për këto vrasje të cilësuara si politike nuk kanë lëvizur nga pika zero.

Jusuf Buxhovi , në intervistën në Rubikon shkoi përtej përfoljeve për vrasjen e 102 anëtarëve të LDK , duke deklaruar në mënyrë eksplicite se këta janë viktima të luftës së papastër të UÇK-së në ndërkohë që vrasjen e 92 pjesëtarëve të ish – UÇK-së nuk e komenton fare. Realisht , z. Buxhovi del të jetë i informuar përtej dyshimeve se kush qëndron prapa vrasjes së 102 anëtarëve të LDK-së sepse e ndërlidhë me “ luftën e papastër të UÇK-së “ e që mund të jetë një mundësi e shkëlqyeshme për Prokurorinë Speciale të Kosovës e cila duhet ta intervistojë z. Buxhovi në mënyrë që , më në fund të fillojë të zgjidhet lëmshi i vrasjeve të pasqaruara të aktivistëve politikë të LDK-së sikur që familjarët e të vrarëve të lirohen nga ankthi i pritjes për ndriçimin e këtyre rasteve  .

Ndriçimi i këtyre rasteve , përveç sigurimit të drejtësisë do të hiqte shumë dilema të grumbulluara dhe mundësi për manipulime dhe etiketime. Me intervistën e z. Buxhovi në Rubikon kthehet shpresa e familjarëve të viktimave të vrara të LDK-së për drejtësi sikur ngjallet shpresa se urdhërdhënësit për këto vrasje të cilësuara si politike si dhe ata që i kryen këto krime do ta marrin dënimin e merituar. Deri sa kjo periudhë kohore do të mbetet e mjegulluzar dhe nuk do të zbardhen vrasjet , gjithmonë do të dalin probleme për stabilizim të gjendjes dhe gjithmonë do të gjinden persona apo subjekte politike që do të përpiqen të përfitojnë në kurriz të kësaj tragjedie , personale dhe familjare. Nëse z. Buxhovi nuk ofron fakte që e argumenton luftën e papastër të UÇK-së për vrasjen e 102 aktivistëve dhe udhëheqësve të LDK-së atëherë duhet të thirret në përgjegjësi ligjore për shtrembërim dhe paraqitje të pavërtetë të fakteve si dhe akuzim , thuaja eksplicit për vrasje të anëtarëve të LDK-së nga një strukturë e caktauar që ai e cilëson si “ luftë e papastër të UÇK-së “.

Familjarët e viktimave të vrara të LDK-së , si dhe organizatat për të drejtat e njeriut , në rastin konkret KMDLNj duhet ta mbështesin z. Buxhovi deri në përfundim të hetimeve sepse të gjithë janë të interesuar të zbardhen këto vrasje të anëtarëve të LDK-së , pjesëtarëve të ish – UÇK-së , pjesëtarëve të minoriteteve si dhe të çdo vrasjeje që nuk është zbardhur deri sot .Fjala publike mund të kontribuojë për të vërtetën por edhe ta shmang të vërtetën. Fjala publike bartë përgjegjësi publike por edhe përgjegjësi ligjore , nëse del të mos jetë e vërtetë.

Në këtë kontekst , KMDLNj kërkon të ndalet sulmi dhe linçimi publik ndaj z. Buxhpvi , deri në përfundim të rastit i cili duhet të hetohet . Linçimi publik paraqet kërcënim për sigurinë dhe jetën e z. Buxhovi prandaj duhet të ndërpritet sikur që ndaj kërcënuesve duhet të veprohet në përputhje me ligjet në fuqi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme