KMDLNj: Kryesia e Kuvendit ta kthej në pikën zero procesin e rekrutimit për Avokatin e Popullit

Prishtinë | 11 Gus 2020 | 12:54 | Nga Ekonomia Online

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë, ka kërkuar nga Kryesia e Kuvendit që procesin e rekrutimit për Avokatin e Popullit ta kthejë në pikën zero.

Ky institucion gjatë monitorimit të intervistimit të kandidatëve për Avokatin e Popullit, ka gjetur disa shkelje, e ndër me të rëndat sipas tyre, ka qenë largimi nga salla i monitoruesve gjatë vlerësimit të kandidatëve.

“Nëse merren të gjitha këto parasysh e sidomos se me përjashtimin e monitoruesve të pavarur  nga procesi i vlerësimit të kandidatëve dhe se procesi është kompromentuar skajshmërisht për shkak të mungesës së transparencës për pjesën më të ndjeshme të procesit, KMDLNj i propozon Kryesisë së Kuvendit që tërë procesi të kthehet në pikën zero (0) duke e nisur procesin e rekrutimit nga fillimi”, thuhet ndër të tjera në rekomandimet e KMDLNj-së, njofton eo.

Komunikata e plotë:

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë,  me datë 27.07.2020 ka monitoruar intervistimin për zgjedhje të Avokatit të Popullit. Fillimisht me një kërkesë për lejimin e monitorimit i është drejtuar kryetares së Komisionit për të Drejtat e Njeriut, znj. Duda Balje e cila ishte edhe kryesuese e Panelit për Intervistim, si dhe janë njoftuar kryetarja e Kuvendit të Kosovës, znj. Vjosa Osmani dhe sekretari i Kuvendit, z. Ismet Krasniqi.

Konkursi për Avokat të Popullit është hapur me datë 26.05.2020 kurse është mbyllur me 14.06.2020 ku janë përcaktuar kriteret që duhet të plotësohen nga kandidatët  e mundshëm.

Lista e atyre që kanë kandiduar:

Sipas listës që i është ofruar KMDLNj-së nga Administrata e Kuvendit janë pranuar 19 kërkesa (aplikacione), për zgjedhjen e Avokatit të Popullit përkatësisht për intervistim.

Janë intervistuar 18 kandidatë kurse një (1) kandidat nuk është ftuar për intervistë për faktin se i ka munguar përvoja e punës.

Struktura gjinore e të intervistuarve:

Prej të intervistuarve 13 kanë qenë të gjinisë mashkullore kurse pesë (5) të gjinisë femrore.

Struktura etnike: shtatëmbëdhjetë (17) prej të intervistuarve kanë qenë shqiptarë kurse një (1) i nacionalitetit turk.

Mosha e të intervistuarve: kandidati më i ri ka qenë i moshës 30 vjeçare kurse më i moshuari i moshës 67 vjeçare. Mosha e përgjithshme e të intervistuarve ka qenë 868 vjet kurse mosha mesatare 48.2 vjet.

Kohëzgjatja e intervistimit: 18 kandidatë janë intervituar 275 minuta ose 4 orë e 58 minuta. Koha mesatare e intervistimit është 15.27 minuta për kandidatë.

Gjithsej gjashtë (6) kandidatë e kanë kaluar kohën e paraparë  prej 15 minutave kurse 12 të tjerë kanë qenë në suaza kohore të së lejuarës prej 15 minutave. Intervista më e shkurtër ka zgjatur shtatë (7) minuta kurse më e gjata 27 minuta.

Kushtet e punës: intervistimi është mbajtur në Sallën e Madhe të Kuvendit të Kosovës dhe ka pasur kushte të mira për punë , si për Panelin, për të intervistuarit ashtu edhe për monitoruesit.  Ka pasur mjete të mjaftueshme për dezinfektim, është respektuar distanca fizike dhe të gjitha palët kanë bartur maska mbrojtëse.

Administrata e Kuvendit: Administrata e Kuvendit e ka kryer punën shumë mirë në aspektin teknik, kanë përpiluar regjistrin e kërkesave (aplikacioneve) të pranuara për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, e kanë caktuar orarin e saktë të intervistimit për çdo kandidat sikur që paraprakisht e kanë informuar çdo kandidat për datën e preanimit të kërkesës , vendin , datën dhe orën e intervistimit. Administrata e Kuvendit ka qenë bashkëpunuese sikur që ka ofruar informata dhe sqarime për monitoruesit e KMDLNj-së. Kanë ofruar mjete për dezinfektim sikur që kanë dezinfektuar edhe vendin ku kanë qenë të intervistuarit, pas çdo interviste.

Paneli për Intervistim: Paneli për Intervistim ka qenë i përbërë prej pesë (5) anëtarëve të subjekteve përfaqësuese në Kuvendin e Kosovës: VV, LDK, PDK, AAK dhe pakicat. Kryesuese e Panelit ka qenë Duda Balje.

Për çdo kandidatë anëtarët e Panelit për Intervistim kanë shtruar nga një (1) pyetje, gjithsej pesë (5) pyetje.

Pyetjet kanë qenë të njejta për të gjithë kandidatët e intervistuar.

Kryesuesja e Panelit për Intervistim, znj. Duda Balje e ka udhëhequr mirë intervistimin. Të gjithë kandidatët e intervistuar paraprakisht i ka informuar për përbërjen e Panelit,  për kohën që e kanë për intervistim sikur që i ka përmendur të gjitha organizatat që e kanë monitoruar procesin e intervistimit. Pas përfundimit të çdo interviste i ka dhënë mundësinë çdo kandidati të intervistuar të shtojë diçka tjetër në rast se ka harruar ta thotë gjatë intervistimit.

Në këtë kontekst nuk e ka bërë asnjë dallim midis kandidatëve duke e favorizuar ndonjë kandidat apo duke e diskriminuar kandidatin tjetër.

Intervistimi: të gjithë kandidatët i kanë pasur të drejtat e barabarta dhe KMDLNj nuk ka vërejtur se Paneli për Intervisitim ua ka mohuar ndonjë të drejtë kandidatëve të intervistuar.

Pyetjet për kandidatët kanë qenë të njejta mirëpo në vend se ato të jenë të shkurtëra, të qarta, të kuptueshme, kanë qenë pyetje të stërgjatura, të ngatërruara dhe në raste-raste edhe të pakuptueshme. Ka pasur pyetje kur edhe parashtruesi i pyetjes ka pasur problem ta lexojë apo të jep sqarim plotësues. Nuk është përfillur rekomandimi i mëparshëm i organizatave monitoruese që pyetjet të jenë sa më të thjeshta dhe sa më të kuptueshme. Pyetjet e stërgjatura, të ngatërruara dhe me shumë kuptime po i vështirësojnë përgjigjet e të intervistuarve si dhe vet procesin e vlerësimit. Lehtësisht ka qenë e mundur që 3 apo 4 pyetje të integrohen në një pyetje të vetme.

Në fund të intervistimit, monitoruesit e pavarur janë detyruar ta lëshojnë Sallën e Kuvendit nga Paneli për Intervistim ,    pikërisht në fazën më të ndjeshme të procesit, në fazën e vlerësimit të kandidatëve që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë.

Problemet e identifikuara dhe rekomandimet:

–              Administrata e Kuvendit nuk duhet të fusë në listë për intervistim ata kandidatë që nuk i kanë plotësuar kushtet e prarapara me konkurs (mungesa e përvojës së punës).

–              Nuk duhet të lejohet, përveç në raste të arsyeshme që kandidatët të mos i përmbahen orarit të caktuar për intervistim.

–              Duhet të merren të gjitha masat që të mos rrjedhin pyetjet jashtë sallës së intervistimit për faktin se KMDLNj është i bindur se një gjë e tillë ka ndodhur  gjatë intervistimit të fundit por edhe në atë të mëparshëm.

–              Edhe më parë por edhe tani KMDLNj e ka identifikuar si problem të madh shpërputhjen e madhe në aspektin profesional midis anëtarëve të Panelit për Intervistim dhe kandidatëve që intervistohen. Kandidatët që intervistohen janë shumë më të përgatitur profesionalisht se anëtarët e Panelit për Intervistim, prandaj edhe vlerësimi në shumë raste është subjektiv. Duhet të shihet mundësia që të bëhen ndryshim i Ligjit dhe të gjindet një formë më e mirë e përzgjedhjes përmes formimit të një Paneli profesional apo mundësisë që subjektet politike të dërgojnë përfaqësues profesionist në Panel për Intervistim pa qenë nevoja që domosdoshmërisht të jenë anëtarë të Komisionit për të Drejtat e Njeriut. Disa pozita si Avokati i Popullit , Gjykata Kushtetuese apo Komisioneri janë përtej intereseve partiake apo të grupeve parlamentare.

–              Ndikimi politik në vlerësim dhe përzgjedhjen e kandidatëve për listë të ngushtë që do të votohet në Kuvend.

–              Duhet të pamundësohet kandidimi për këto poste të githë ata që në 3 vjetët e fundit kanë qenë bartës të pozitave të larta politike.

–              Paneli për Intervistim është i përbërë prej pesë (5) anëtarëve të subjekteve të ndryshme politike dhe çdonjëri përpiqet t’i ndihmojë kandidatit të preferuar nga subjekti që e përfaqëson, andaj , përmes votimit e ndihmon kandidatin e vet kurse e eliminon kandidatin që mund të jetë shumë më i përgatitur profesionalisht. Pastaj, për fat të keq , votimi në Kuvend është vetëm akt formal-teknik i mbështetur, thuaja aspak në profesionalitet por në një marrëveshje politike. Për këtë arsye , deri më tani, ende pa përfunduar votimi në Kuvend është ditur se kush do të jetë Avokat i Popullit.

–              Mungesë e transparencës: Moslejimi i pranisë së monitoruesve të pavarur gjatë vlerësimit të kandidatëve e bënë tërë procesin të pabesueshëm, jo të drejtë, të dyshimtë dhe të papranueshëm. Pamundësia e monitorimit të vlerësimit të kandidatëve ngre shumë dyshime për një proces të mundshëm të manipuluar, të ndikuar politikisht me ç’rast janë eliminuar kandidatë shumë profesionistë dhe njohës të mirë të drejtave të njeriut. Nëse nuk e kemi tabelën e vlerësimit , atëherë nuk mund ta bëni një raport të kompletuar dhe nuk nuk mund ta përkrahni një proces të tillë të rekrutimit. Për këtë arsye KMDLNj vlerëson se i tërë procesi  duhet të kthehet të pikën zero aq më parë që si monitorues as që ka qenë i njoftuar nga Paneli për Intervistim për listën përfundimtare në ndërkohë që përmes medieve është informuar për tre (3) kandidatë që do të shkojnë për votim në Kuvendin e Kosovës.

–              KMDLNj e ka bërë një vlerësim të brendshëm të intervistimit dhe vetëm pjesërisht përputhet me listën nga Paneli për Intervistim.

–              KMDLNj vlerëson se ka pasur shumë kandidatë të pregatitur mirë në aspektin profesional pë dallim nga herat tjera por seprocesi i rekrutimit është kompromituar për shkaqe që i listuam më lartë.

–              Nëse merren të gjitha këto parasysh e sidomos se me përjashtimin e monitoruesve të paravruar nga procesi i vlerësimit të kandidatëve dhe se procesi është kompromentuar skajshmërisht për shkak të mungesës së transparencës për pjesën më të ndjeshme të procesit, KMDLNj i propozon Kryesisë së Kuvendit që tërë procesi të kthehet në pikën zero (0) duke e nisur procesin e rekrutimit nga fillimi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme