KMDLNJ: Mungon edukimi i përgjithshëm për sigurinë dhe shëndetin në punë

Prishtinë | 29 Maj 2018 | 13:16 | Nga

Përfaqësues të KMDLNj-së u takuan me kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi për të diskutuar për shkeljet e të drejtave të punëtorëve sikur edhe për të kërkuar përgjegjësi për këto shkelje. Shqetësimet më të mëdha të KMDLNj-së janë vdekjet në vendin e punës, mungesa e sigurimit shëndetësorë, sigurime sociale, mungesa e kontratave të punës, pagesat jo dinjitoze, mosrespektim i Ligjit të Punës, ditëve të pushimit, etj.

Shqetësimi më i madh i KMDLNj-së aktualisht janë vdekjet e mëdha në vendet e punës, e që për këtë vit , deri më tani janë 6 raste. KMDLNj, edhe më parë ka reaguar për këtë fenomen dhe numri i vdekjeve të këtij viti është mjaft shqetësues dhe në shifër i lartë. Edhe kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi u pajtua që ky numër dhe fenomen është shqetësues dhe që duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje institucionale dhe të të gjithë akterëve tjerë që mund të ndihmojnë për këtë çështje. Gjithashtu, mjaft i lartë është numri i lëndimeve në punë. Në vitin 2018 kanë ndodhur 33 raste të lëndimeve në punë.

Në takim u diskutua edhe për punëtorët dhe kushtet e punës tek kompanitë e sigurimit fizik të cilët nuk marrin pagë të dinjitetshme dhe u mungojnë kushtet e punës. Edhe numri i konsiderueshëm i punëtorëve të angazhuar të cilët nuk kanë kontrata pune, sidomos në sektorin e ndërtimeve, të hotelerisë dhe autolarjet.

Inspektorati i Punës ka numër të vogël të inspektorëve të cilët angazhohen në terren. Në përgjithësi, gjatë vitit realizohen numër i konsiderueshëm i inspektimeve mirëpo, për shkak të mungesës së inspektorëve, kushteve të punës për ta, mungesë e automjeteve dhe kushteve të punës në zyrë, është e pamundur të mbulohen të gjitha rastet. KMDLNj kërkon nga Qeveria e Kosovës që të shtojë buxhetin për Inspektoratin e Punës për angazhim të një numri më të madh të inspektorëve, blerje të një numri të veturave apo edhe skuterëve që do të lehtësonte efikasitetin e inspektimeve në terren.
BSPK duhet të jetë mekanizmi më efikas për mbrojtje të të drejtave të punëtorëve e që deri tani, për shkaqe objektive dhe subjektive nuk e ka treguar efikasitetin e duhur.
Një rol të veçantë në këtë fushë kanë Oda Ekonomike dhe Shoqatat e Ndërtimtarëve të cilët janë faktorë që mund të ndikojnë tek bizneset dhe anëtarët e tyre që të parandolohen rastet e lëndimeve në punë dhe për punëtorët të veprohet sipas ligjeve konkrete.

KMDLNj vlerëson se mungon edukimi i përgjithshëm sa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë. Prandaj, rekomandojmë që Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të fusë në kurrikulë shkollore lëndën e sigurisë dhe shëndetit në punë që ishte edhe propozim i Inspektoratit të Punës.

KMDLNj bënë apel tek Gjykatat që rastet e vdekjeve apo të lëndimeve në vend të punës t’i trajtojë me prioritet.

KMDLNj ka bashkëpunim të mirë me Inspektoratin e Punës ku i adreson ankesat e të punësuarve që u shkelin të drejtat e njeriut, si adresa më kompetente për këtë çështje.

KMDLNJ, gjatë këtij takimi doli edhe me disa propozime konkrete që do të kontribuonin në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve sikur edhe për forcimin e mekanizmave të monitorimit dhe sanksionimin e punëdhënësve të papërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm të cilët, deri me tani nuk janë sanksionuar në përputhje me pasojat që kanë shkaktuar duke i shkelur në mënyrë flagrante të drejtat e punëtorëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme