KMDLNj: Proces i rregullt zgjedhor, të pranohen rezultatet

Prishtinë | 20 Nën 2017 | 11:53 | Nga

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në një komunikatë për media kanë vlerësuar procesin zgjedhor si të rregullt dhe kanë bërë thirrje që të pranohen rezultatet preliminare nga subjektet pasi pasi sipas KMDLNj këto nuk do të ndryshojnë shumë.

Komunikata e plotë e KMDLNj:

“Votimin për balotazh me datë 19 nëntor, KMDLNj e vlerëson si të rregullt, në kuadër të standardeve ndërkombëtare, me shumë pak parregullsi që nuk kanë ndikuar në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve prandaj uron të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje, votuesit, subjektet politike, komisionerët, vëzhguesit partiakë e sidomos rrjetin e monitoruesve të DnV për përkushtimin e treguar duke kontribuar në rregullsinë e këtij procesi dhe duke ndikuar në ngritjen e llogaridhënies dhe transparencës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka treguar profesionalizëm dhe efikastitet gjatë trajtimit të procesit zgjedhor si dhe me publikimin e rezultateve preliminare të zgjedhjeve. Pavarësisht rezultateve preliminare e që sipas KMDLNj –së nuk do të ndryshojnë, subjektet garuese duhet t’i pranojnë ato duke uruar konkurrentët për fitore sikur se duhet të ofrojnë bashkëpunim për të mirën e qytetarëve të komunave, pavarësisht kush ka fituar aq më parë që kryetarët e zgjedhur duhet dhe i përfaqësojnë interesat e të gjithë qytetarëve të komunave.

Koalicionet kryesisht joparimore me qëllim të marrjes së pushtetit dhe rezultatet që dallojnë për një grusht votash paraqesin rrezik për funksionimin normal të pushtetit lokal në ato komuna si dhe krijimin e situatave bllokuese në vendimmarrje dhe zbatimin e projekteve të ndryshme e të rëndësishme për përparimin e komunave.

Përkundër vlerësimit shumë pozitiv të tërë procesit zgjedhor të zgjedhjeve lokale në Kosovë, rezultati i zgjedhjeve sidomos në disa komuna lë hapësirë për krijimin e situatave bllokuese e që nuk do të ishte e dëshirueshme për shëndetin e pushtetit lokal. Megjithatë, le të shpresojmë se zhvillimet do ta marrin drejtimin e duhur”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme