KMDLNj: Prokuroria Speciale e Kosovës të hetojë rastin e kidnapimit të dr. Hafir Shalës

Prishtinë | 10 Pri 2019 | 13:20 | Nga Ekonomia Online

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka kërkuar nga Prokuroria Speciale që të hetojë rastin e kidnapimit të doktor Hafir Shalës, laborantit Hetem Sinani dhe kontabilistit Shaban Nezirit.

“Më 10.04.1998 nga policia sekrete serbe janë arrestuar, pasi ishin ndaluar afër udhëkryqit të aeroportit në Sllatinë në rrugën Drenas – Prishtinë, Dr. Hafir Shala, mjek, ish i burgosur politikë, aktivist i SHBH “Nëna Terezë” dhe KMDLNj-së, Hetem Sinani, laborant, aktivist i SHBH “Nëna Terezë” dhe KMDLNj-së si dhe Shaban Neziri, kontabilist dhe anëtar i KMDLNj-së në Drenas.

Pasi janë ndaluar , ata janë arrestuar dhe janë dërguar në ndërtesën e Sigurimit Shtetërorë serbë në Prishtinë. Doktor Hafir Shala është detyruar të hyjë në një makinë të tipit xhip, me xhama të errësuar dhe është shoqëruar nga dy civilë (policë të Sigurimit Shtetëror serbë). Sipas informatave të KMDLNj-së , tre të arrestuarit janë ndaluar nga policë të informuar serbë ndërkaq janë arrestuar nga inspektorë – policë serbë me rroba civile.

Pasi janë mbajtur të arrestuar gjashtë (6) orë janë liruar Hetem Sinani dhe Shaban Neziri ndërsa për Dr. Hafir Shalën sot e kësaj dite nuk ka asnjë informatë. Pasi është liruar, Shaban Neziri ka ardhur në zyret e KMDLNj-së në Prishtinë, e ka paraqitur rastin duke deklaruar se janë ndëgjuar zëra të llahtarshëm të Dr. Hafir Shalës , nga torturat që i janë bërë nga sigurimi serb.

Pas një kohe, KMDLNj pati rënë në kontakt me një hetues të Sigurimit Shtetëror serb i cili mbante një pozitë në Kosovë, ishte shef i Sigurimit Shtetëror në Prishtinë për të mësuar më shumë për fatin e Dr. Hafir Shalës dhe Xhavit Hazirit që të dy të rrëmbyer sipas të njëjtit skenar dhe, duket nga i njëjti ekip. Informatat që i ka marrë KMDLNj nga inspektori i Sigurimit Shtetëror serb ishte se ata janë rrëmbyer dhe marrë në pyetje nga një ekip i specializuar i Shërbimit Shtetëror serb dhe se ata pastaj janë dërguar në një lokacion të paidentifikuar jashtë Prishtine ku edhe u humbën të gjitha gjurmët. Po i njëjti inspektor ka deklaruar se me rastin e Dr. Hafir Shalës dhe Xhavit Hazirit është marrë kreu i Sigurimit Shtetëror të Serbisë dhe se nivelet më të ulëta të këtij Shërbimi as që kanë pasur informata për këtë rast.

Edhe sipas këtij inspektori, por sipas deklaratave edhe të Hetem Sinanit dhe Shaban Nezirit, Fadil Syleviq (hetues në Policinë e Kosovës) është person që ka informata dhe mund të ndihmojë në zbardhjen e rrëmbimit të Dr. Hafir Shalës dhe duket edhe të Xhavit Hazirit. Pastaj, kryetari aktual i komunës së Drenasit, z. Ramiz Lladrovci në kohën kur ishte deputet i Kuvendit të Kosovës në mënyrë eksplicite, nga foltorja e Kuvendit e bënte përgjegjës Fadil Syleviqin për rrëmbimin e Dr. Hafir Shalës duke premtuar angazhim deri në zbardhje të plotë të këtij rasti. KMDLNj, pati biseduar me eprorin e Fadil Syleviqit në mënyrë që të lëvizë në drejtim të zgjedhjes së rastit të Dr. Hafir Shalës mirëpo nuk ka pasur sukses për faktin se inspektori Fadil Syleviq ka qenë nën mbrojtje të ndërkombëtarëve, policisë së UNIK-ut më parë dhe të EULEX-it pastaj.

Me rastin e 21 vjetorit të rrëmbimit dhe zhdukjes pa asnjë gjurmë të Dr. Hafir Shalës , KMDLNj kërkon nga Prokuroria Speciale e Kosovës që të rihapë rastin e Dr. Hafir Shalës dhe Xhavit Hazirit , aq më parë që për rastin e Dr. Hafir Shalës ka dëshmitarë siç janë: Ramiz Lladrovci, Shaban Neziri dhe Hetem Sinani si dhe Fadil Syleviq. Fadil Syleviq mund ta heqë dyshimin që e ngarkon me përgjegjësi për rrëmbimin e Dr. Hafir Shalës vetëm nëse tregohet bashkëpunues me Prokurorinë Speciale të Kosovës, në të kundërtën  , gjithmonë do ta ketë statusin e të dyshuarit. Sipas informatave jo zyrtare, gjatë marrjes në pyetje , sa mbahej i arrestuar nga UÇK-ë , Fadil Syleviq ka pranuar se ka informata për rastin e Dr. Hafir Shalës, madje qenka edhe një deklaratë e tij e shkruar, (KMDLNj nuk e ka atë deklaratë) të cilën e ka dhënë pas marrjes në pyetje.

Përkundër përpjekjeve që rasti i Dr. Hafir Shalës dhe Xhavit Hazirit të konsiderohen raste ad  acta – raste të mbyllura KMDLNj e konsideron si rast të hapur i cili duhet të rihetohet pasi shumë akterë janë ende gjallë dhe të sigurohen informatat për Dr. Hafir Shalën dhe Xhavit Hazirin shkaku se është e drejtë e njeriut që familja të informohet për këtë rast e që deri më tani u është mohuar.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bazë të fortë por edhe detyrim ligjor të trajtojë seriozisht rastin e Dr. Hafir Shalës dhe Xhavit Hazirit sikur edhe të rrëmbyerve tjerë në mënyrë që drejtësia , në këtë rast shumë e vonuar, të vihet në vend.

KMDLNj kërkon edhe nga bartësit e institucioneve të shtetit (kryeministrit, kryekuvendarit dhe presidentit) që në kuadër të mandatit dhe mundësive të kontribuojnë në zbardhjen e këtij rasti dhe rasteve tjera.

Me rastin e 21 vjetorit të kidnapimit dhe zhdukjes pa gjurmë të Dr. Hafir Shalës, mjek, ish i burgosur dhe aktivist i SHBH “Nëna Terezë “ dhe KMDLNj-së, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut thërret Amnesty International, Human Rights Ëatch, Federatën Ndërkombëtare të Helsinkut për të Drejtat e Njeriut dhe Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq të ngrejnë zërin dhe kërkojnë zbardhjen e këtij rasti nga autoritetet e Serbisë dhe atyre ndërkombëtare”.

Të ngjashme