KMDLNj: Prokuroria të hetojë kërcënimet ndaj Rrahman Jasharajt

Prishtinë | 03 Sht 2022 | 13:38 | Nga Ekonomia Online

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut përmes një komunikate për media ka kërkuar nga prokuroria e shtetit që të hetohen kërcënimet ndaj kryetarit të SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj.

Ky këshill thotë se si dëshmi për nisje të hetimeve mund të merren postimet e personit që ka kërcënuar.

“KMDLNj ftonë Prokurorinë e Shtetit të nisë hetimet për kërcënimet që po i bëhen Rrahman Jasharajt e që mund t’i rrezikojnë jetën si dhe familjen. Si dëshmi për nisje të hetimeve mund të merren postimet e Elvis Hoxhës, Hysamedin Ferraj dhe debatet në mediat në Kosovë. Mund edhe mos të pajtoheni me grevën dhe me Rrahman Jasharajn por duhet të respektoni të drejtat e tyre njerëzore e që në rastin konkret po shkelen në mënyrë flagrante”, thuhet në komunikatë.

KMDLNj vlerëson se grevat duhet të jenë mjet i skajshëm dhe duhet të përdoren të gjitha mundësitë tjera para se të shkohet në grevë.

“KMDLNj e përkrahë çdo grevë që organizohet në përputhje me ligjin dhe greva e SBASHK-ut ështe në përputhje të plotë me ligjin. Ndërkaq, sa i përket orientimit kombëtar të Rrahman Jasharaj, duhet të jeni i çmendur e të besoni çka thotë Elvis Hoxha. Qeveria as që ka treguar interesim të vendosë një dialog social dhe të bashkëpunimit me SBASHK-un, përkundrazi, me të gjitha mjetet është përpjekur ta thyejë grevën duke e përçarë sindikatën për ta futur pastaj nën kontrollë”.

“Reagimi i presidentes është i vonuar, shumëkuptimësh dhe nuk lë shpresë që donë vërtetë të kontribuojë në tejkalimin e situatës përveç se bënë përpjekje të sigurojë një strategji dalëse, pa pasoja, për Qeverinë e Kosovës. Të drejtat e njeriut, të drejtat e organizimit dhe veprimit sindikalist nuk kanë alternativë tjetër për një vend me demokeaci e aq më pak kërcënimin dhe shantazhimin me të cilat populli i Kosovës ishte përballur shumë herë por nuk është pajtuar pavarësisht çmimit që e ka paguar. Kosova ka shumë probleme tjera për t’u marrë me njëri-tjetrin”, thuhet tutje në komunikatën e tyre.

Të ngjashme