KMDLNj propozon të formohet Ekip i Avokatëve për ta përfaqësuar të miturën në Drenas

Prishtinë | 08 Shk 2019 | 11:59 | Nga Ekonomia Online

Këshilli për mbrojtjen e të drejtave e të lirive të njeriut (KMDLNJ)  ka vlerësuar si shumë pozitive efikasitetin dhe shpejtësinë e reagimit nga institucionet si dhe nga të gjithë në lidhje me rastin e përdhunimit të të miturës në Drenas.

Nga aspekti i të drejtave të njeriut, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut e konsideron si shkelje flagrante dhe shumë të rëndë të këtyre të drejtave duke qenë në anën e viktimës, të miturës së keqpërdorur. Në bazë të dyshimeve të bazuara , e mitura është keqpërdorur seksualisht nga pjesëtarë të dy segmenteve që janë përgjegjës për edukimin dhe formësimin intelektual, nga arsimtari si dhe nga një pjesëtar i një segmenti që është përgjegjës për sigurimin fizik të personave të keqpërdorur dhe të pambrojtur, nga pjesëtari i Policisë së Kosovës i cili ka për detyrim ndërmarrjen e masave ligjore ndaj keqpërdoruesit – arsimtarit e që sipas dyshimeve të bazuara nuk e ka bërë këtë .

Në këtë kontekst, KMDLNj propozon që për rast sikur që ishte keqpërdorimi i të miturës në Drenas dhe për raste të ngjashme që kanë ndjeshmëri të lartë, të formohet një Ekip i Avokatëve për të Drejtat e Njeriut që do të përfaqësonte viktimën në të gjitha fazat e procedurës, që nga faza parapenale e deri kur do të merret një vendim përfundimtar i Gjykatës përkatëse.

Komunikata e plotë:

Ditë më parë opinioni në Kosovë u informua për dyshimet e keqpërdorimit seksual të një të miture në Komunën e Drenasit, fillimisht nga një arsimtar e pastaj nga një hetues i Policisë së Kosovës. Pas kësaj pati reagime të shpejta zingjirore e që u përmbyll me dy arrestime dhe një ndalim policor të personave të dyshuar.

KMDLNj e vlerëson si shumë pozitive efikasitetin dhe shpejtësinë e reagimit të hallkave të zinxhirit që rezultuan me arrestimin e personave të dyshuar për keqpërdorimin e të miturës, veprim që e shqetësoi opinionin në Kosovë: Hetimi i shpejtë i portalit “Insajder”, veprim i shpejtë dhe në përputhje me ligjin i Policisë së Kosovës , në bashkëpunim me prokurorinë e shtetit  dhe gjykatën përkatëse e ndërprenë një keqpërdorim seksual disavjeçar të një të miture dhe tani rasti po trajtohet sipas procedurave që parashihen me ligjet në fuqi.

Nga aspekti i të drejtave të njeriut, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut e konsideron si shkelje flagrante dhe shumë të rëndë të këtyre të drejtave duke qenë në anën e viktimës, të miturës së keqpërdorur. Në bazë të dyshimeve të bazuara , e mitura është keqpërdorur seksualisht nga pjesëtarë të dy segmenteve që janë përgjegjës për edukimin dhe formësimin intelektual, nga arsimtari si dhe nga një pjesëtar i një segmenti që është përgjegjës për sigurimin fizik të personave të keqpërdorur dhe të pambrojtur, nga pjesëtari i Policisë së Kosovës i cili ka për detyrim ndërmarrjen e masave ligjore ndaj keqpërdoruesit – arsimtarit e që sipas dyshimeve të bazuara nuk e ka bërë këtë .

Se kemi të bëjmë me shkeje të rëndë të të drejtave të njeriut nuk ka asnjë dyshim për KMDLNj-në por kjo nuk nënkupton të drejtën, as të KMDLNj-së e as të dikujt tjetër të bëjë presion mbi Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe Gjykatën përkatëse, duke ndërhyrë në këtë mënyrë në procedurën që po zhvillohet ndaj të dyshuarve. Organizatat për të drejtat e njeriut gjithmonë janë në anën e viktimave mirëpo , gjithashtu e mbronë të drejtën e të dyshuarve për një gjykim të drejtë, të paanshëm dhe të pandikuar politikisht që e kanë të garantuar me ligjet në fuqi në Kosovë dhe me të gjitha dokumetet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Për këtë rast, në Prishtinë, me 7 shkurt u organizua një protestë në përkrahje të viktimës ku edhe KMDLNj ka marrë pjesë por, përkundër qëllimit të mirë, protesta eskaloi duke i ngjarë një linçimi publik ku kërkohej vdekja për të dyshuarit, varje publike ku, ndonëse parimi juridik nuk njeh përgjegjësi kolektive por sikur në çdo vend të botës përgjegjësia është individuale, kërkohej nga Policia e Kosovës t’i bindej kërkesave të protestuesve , kërkohej përgjegjësi kolektive, kërkoheshin kokat e caktuara dhe shënjestëruara duke bërë përpjekje për të marrë drejtësinë në duar të individëve dhe duke bërë përpjekje për suspendim të autoritetit të Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Gjykatës.

Nga deputetë të painformuar kërkohej dënim i përjetshëm për të dyshuarit e që është ndërhyrja e palejueshme dhe e kundërligjshme në procedurën hetimore, të prokurorisë dhe gjykatës të cilët e kanë të drejtën ekskluzive që, pas procedimit të provave ta marrin një vendim për caktimin e shkallës së fajësisë apo lirues për të akuzuarit e mundshëm. Deputetët e Kuvendit të Kosovës mund ta ngrejnë si shqetësim këtë rast si dhe raste të tjera por nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në punën e hetuesisë e as në vendimet e gjykatës, sidomos nëse ende nuk e kemi një vendim të formës së prerë.

Thirrja për linçim publik, ende pa përfunduar hetimet apo procesi gjyqsorë është presion i drejtëpërdrejtë ndaj atyre që duhet të marrin vendime dhe në këto rrethana është vështirë të merren vendime të bazuara në ligj për shkak të presionit të madh që iu bëhet. Në rastin konkret, sikur policia, prokuroria dhe gjykata të mos vepronin, atëherë protestat do të ishin të domosdoshme, si sensibilizim për mosveprim por , pa e paragjykuar fajësinë apo pafajësinë e të dyshuarve të mundshëm.

Politizimi apo partizimi i Kuvendit të Kosovës, varësisht nga situata politike dhe nevojat për konsum politik i fut deputetët në një aktivitet që nuk është në përputhje me mandatin e tyre.

Thirrja e seancave të jashtëzakonshme për situata të caktuara ku janë miratuar Rezoluta të pazbatueshme dhe të cilat i kanë pasur jetëgjatësinë deri në reagimin e parë të ndërkombëtarëve e shpërfaq manipulimin e partive politike, përmes deputetëve (pa asnjë dallim), për qëllime ekskluzivisht të përfitimeve piolitike. Thirrja e deputetëve për dënime të ashpra, me burgim të përjetshëm si dhe thirrja e seancave të jashtëzakonshme apo thirrja e përgjegjësve policorë, të prokurorisë, gjykatave, ministrave përkatës, pa u kryer hetimet dhe pa një vendim të gjykatës është presion dhe ndërhyrje në procedurën që, në bazë të ligjit e udhëheqin policia, prokuroria dhe gjykata e jo deputetët apo politikanët.

KMDLNj ua përkujton deputetëve dhe të gjithë atyre që ndërhyrjen në punën e policisë, gjykatave dhe prokurorisë e kanë shndërruar në standard juridik dhe të drejtësisë kurse linçimi publik e përdorin për realizimin e këtij standardi se Gjykata Evropiane për të Drejatat e Njeriut në Strasburg, në shumë raste ka marrë vendime në favor të atyre që janë linçuar publikisht duke deklaruar se vendimi ndaj tyre (jo gjyqësorë) është marrë gjatë linçimit publik kurse gjykata, e udhëhequr nga ky presion, vendimin e ka marrë nën presion e jo mbështetur në fakte. Pra, kemi të bëjmë me rast klasik të presupozimit të pafajësisë ku të dyshuarit janë dënuar ende pa filluar procesi gjyqësorë.

Për KMDLNj-në është shumë me rëndësi të vërtetohet fakti nëse e keqpërdorura seksualisht në Drenas sa ishte e mitur, kur është marrë në pyetje nga policia dhe prokuroria, a ka qenë e shoqëruar nga një kujdestar siç parashihet me ligj dhe se a ka qenë e njohur me të drejtat që i takojnë?! Për KMDLNj-në është e palogjikshme që një punëtori të arsimit e që e ka shfrytëzuar seksualisht një të mitur, nxënëse, i lejohet të punojë përsëri në fushën e arsimit.

Kjo, nga aspekti moral është e papranueshme kurse edhe me ligj duhet të sanksionohet.

Në këtë kontekst, KMDLNj propozon që për rast sikur që ishte keqpërdorimi i të miturës në Drenas dhe për raste të ngjajshme që kanë ndjeshmëri të lartë, të formohet një Ekip i Avokatëve për të Drejtat e Njeiut që do të përfaqësonte viktimën në të gjitha fazat e procedurës, që nga faza parapenale e deri kur do të merret një vendim përfundimtar i Gjykatës përkatëse.

Republika e Kosovës ka një bazë ligjore shumë të përparuar dhe në përputhje me standardet dhe direktivat e shteteve të BE-së prandaj të gjitha përpjekjet duhet të bëhen në drejtim të zbatimit të drejtë të këtyre ligjeve të cilat nuk e njohin si standard juridik dhe të drejtësisë mënyrën e linçimit publik sikur edhe ndërhyrjen politike në këto institucione. Këtë duhet ta kuptojnë të gjithë ata deputetë, politikanë apo pjesëtarë të shoqërisë civile që duan të shqiptojnë dënime të përjetshme apo ta rikthejnë dënimin me vdekje, duke keqpërdorur dhe manipuluar me viktimën të cilën e riviktimizojnë shumëfish, për qëllime të përfitimeve politike apo të tjera. Mbrotja e viktimës, ruajtja e identitetit, mbrojtja e familjes së viktimës përveç se është detyrim njerëzor dhe moral, është para së gjithash detyrim ligjor. Të drejtat e njeriut nuk i shkel individi por i shkel ligji prandaj ato të drejta edhe mbrohen me ligj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme