KMDLNj: Pse nuk po stabilizohet shërbimi korrektues i kosovës

Prishtinë | 04 Mar 2019 | 14:58 | Nga Ekonomia Online

Shërbimi Korrektues i Kosovës është një shërbim jashtëzakonisht i rëndësishëm në Kosovë, puna e të cilit ndërlidhet edhe me sigurinë e vendit. Që nga përfundimi i luftës në Kosovë kur ky shërbim është menaxhuar kryesisht nga ndërkombëtarët duke pasur rënie dhe ngritje si dhe shumë sfida drejt konsolidimit në një shërbim të qëndrueshëm që përkujdeset për mbajtjen e personave të dënuar, risocializimin e tyre dhe përgatitjen për kthim dhe integrim të këtyre personave në shoqëri.

Realisht, përkundër shumë sfidave dhe problemeve objektive dhe subjektive, Shërbimi Korrektues i Kosovës është mbajtur në këmbë falë edhe ndihmës së madhe që përmes monitorimit , problemeve të identifikuara dhe rekomandimeve kanë dhënë organizatat monitoruese ( Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës si dhe Institucioni i Avokatit të Popullit ). Organizatat monitoruese, KMDLNj, QKMRT dhe IAP e kanë fituar besimin te personat e privuar nga liria sikur edhe te institucionet korrektuese dhe mbajtëse e që është kusht themelor për ndryshime pozitive. Por pse Shërbimi Korrektues i Kosovës  nuk ka arritur të stabilizohet ? Shkaqet janë të shumta, të natyrës objektive dhe subjektive për të cilat KMDLNj për vite me radhë ka reaguar pas monitorimeve të mbështetura nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS).

1.            Ndërhyrjet politike: Thuaja në të gjitha emërimet të kreut të SHKK , pas përfundimit të luftës e deri më sot , politika ka caktuar se kush do të emërohet në krye të këtij shërbimi dhe , pas një kohe të caktuar , me ndërrimin e garniturës qeverisëse kanë ndryshuar edhe intereset prandaj janë shkaktuar dhe shpikur afera për të eliminuar udhëheqësit e vjetër dhe për t’i emëruar të rinjtë . Për më keq , ky  “ndërrim i  gjeneratave “ , në shumë raste ka përfunduar me aktakuza pas së cilave , pjesa dërrmuese është liruar nga përgjegjësia por jo edhe nga mundësia të kthehen në vendet e tyre të punës . Për këtë arsye kemi pasur një paqëndrueshmëri menaxheriale e që ka ndikuar edhe në punën e Shërbimit Korrektues të Kosovës.  Në SHKK ka pasur luftë klanore që , përmes mbrojtjes së intereseve politike të atyre që i kanë vendosur aty , i kanë realizuar edhe ambiciet e tyre , deri në shkarkimin e tyre të radhës. Sidomos kjo dukuri ka qenë e theksuar te maja e piramidës të udhëheqjes së SHKK –ës. Një segment jashtëzakonisht i atakuar i përndjekjes ka qenë Shërbimi Shëndetësorë i Burgjeve . Shumë individë nga ky Shërbim ka përfunduar me aktakuza për faktin se kanë lëshuar dëshmi për të dënuarit , kryesisht të atyre VIP , për trajtim shëndetësorë apo beneficione tjera  ndonëse nuk i kanë plotësuar kushtet shëndetësore . KMDLNj vlerëson se këta punëtorë shëndetësorë , për shkak të ndikimeve dhe presioneve politike janë detyruar ta shkelin etikën apo Betimin e Hipokratit  duke vepruar në kundërshtim me etiken profesionale dhe morale e që nuk i arsyeton për veprimet e tyre.

KMDLNj , për shkak se ka vlerësuar se drejtuesi i Shërbimit Korrektues të Kosovës nuk ka asnjë mundësi ta përmbush synimin  brenda një kohe të shkurtër ka propozuar që mandati i drejtorit të SHKK –es të jetë 5+ 5 vite me kusht që nuk ka punuar në kundërshtim me mandatin që e ka .

2.            Mungesa e stafit korrektues dhe trajtimi jo i mirë i këtij stafi: Stafi i Shërbimit Korrektues të Kosovës  ka qenë i përbërë prej oficerëve që kanë pasur pregatitje profesionale e që kanë punuar që nga koha e ish- Jugosllavisë dhe stafi që është rekrutuar pas përfundimit të luftës e që nuk ka qenë në nivel profesional të duhur për shkak të mungesës së përvojës . Oficerët korrektues me përvojë kanë qenë nën llupën e dyshimit për shkak të kaluarës së tyre prandaj edhe profesionalizmi i tyre nuk është vlerësuar kurse oficerët që janë rekrutuar pas përfundimit të luftës janë konsideruar si më të besueshëm por se , në mungesë të profesionalizmit , nuk kanë kontribuar shumë në përparimin e SHKK –ës. Edhe përzgjedhja e stafit korrektues ka qenë i përshkruar nga interesi partiak dhe politik sikur që edhe nepotizmi ka luajtur rol të rëndësishëm . Oficerët korrektues nuk kanë pasur kushte të mira pune , nuk janë paguar për riskun e rrezikshmërisë e që ka qenë evidente , nuk kanë pasur sigurime shëndetësore dhe siguri në punë, nuk janë trajtuar mirë as nga vet personat e privuar nga liria ( nga një kategori e caktuar ) prandaj kanë rënë pre e korruptimit të lehtë duke kontrabanduar gjërat e ndaluara . KMDLNj vlerëson se korruptimi i oficerëve korrektues ka qenë korruptim i profilit të ultë apo korruptim i zorit kurse korruptimi i profilit të lartë ( tenderët për rinovim , furnizim me artikuj ushqimorë dhe higjienikë , futje të gjësendeve të ndaluara me shumicë , raportet për beneficione , lirim me kusht apo falje ) janë bërë nga niveli më i lartë , i cili , në të shumtën e rasteve ka mbetur i pandëshkuar ! Nuk ka pasur përtëritje të stafit ose ai është bërë pas shumë konkurseve të anuluara në ndërkohë që kemi një staf që fizikisht ka probleme të jetë në nivelin e detyrës . Sidomos , Shërbimi Korrektues i Kosovës ka qenë dhe është përballur me mungesë kronike të stafit korrektues për trajtim të femrave të privuara nga liria sikur edhe të të miturve . Nëse kemi prokurorë për të mitur , gjykatës për të mitur atëherë pse nuk kemi staf korrektues për të mitur ?!

3.            Mungesa e një adrese të përgjegjësisë dhe mungesa e bashkëpunimit: Shërbimi Korrektues i Kosovës është nën përgjegjësi të Ministrisë së Drejtësisë kurse Shërbimi Shëndetësorë i Burgjeve është nën Ministrinë e Shëndetësisë. Kjo ndarje ka qenë propozim i OJQ-ve monitoruese për rritje të efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies e të cilën ndarje fillimisht KMDLNj e ka kundërshtuar për faktin se për personat e privuar nga liria po krijohen dy adresa të përgjegjësisë. Realisht , këto dy shërbime , jo që nuk kanë bashkëpunuar njëra me tjetrën por e kanë rivalizuar njëra – tjetrën dhe në këtë mënyrë fatura ka shkuar në dëm të personave të privuar nga liria. Ta ilustrojmë këtë me një shembull konkret : X i dënuari ka pëlqimin nga Shërbimi Shëndetësorë i Burgjeve  për t’u trajtuar në një qendër spaitalore jashtë institucionit korrektues por se kjo nuk mund të bëhet pa pëlqimin e drejtorit të institucionit korrektues i cili, në bazë të vlerësimeve të sigurisë apo mungesës së stafit, mund ta prolongojë dërgimin e të burgosurit në spital apo QKUK. Dhe ka shumë raste të tilla, edhe kur ndahen beneficionet , te lirimi me kusht apo falja e presidentit. Realisht, autoriteti i drejtorëve të SHKK –ës është rrënuar shumë pëpr faktin se u është pamundësuar një mundësi për t’i liruar të dënuarit tre ( 3 ) muaj para përfundimit të dënimit. Ky është një vendim i pa matur dhe që ka ndikuar shumë në suksesin e risocializimit të të dënuarve.

4.            Trajtimi , puna , risocializimi dhe motivi: Qëllimi i dënimit nuk është hakmarrja e shtetit ndaj atij që ka rënë në kundërshtim me ligjin por është masë parandaluese për atë që është shkelës i mundshëm i ligjit. Trajtimi i të dënuarve bëhet në përputhje me LESP –le , që është shumë i mirë por se, si çdo ligj në Kosovë nuk është plotësisht i zbatueshëm. Edhe në institucionet korrektuese ka dallime në trajtimin e të dënuarve , që nga pranimi e deri te përfundimi i dënimit. Ndonëse kjo dukuri po tregon rënie të lehtë , personat me një gjendje të mirë materiale , me një status dallues shoqërorë  që kanë pasur në liri , që ka përkrahje politike etj. janë pjesë e kastës VIP, trajtohen ndryshe edhe brenda dhe shumë më lehtë i fitojnë beneficionet edhe në rast kur nuk i meritojnë . Kastën VIP –i të dënuar, KMDLNj e ka denoncuar shumë vite më parë dhe ka kërkuar që të gjithë të trajtohen në përputhje me ligjin. Puna është mjeti, politika dhe strategjia si dhe programi më efikas për risocializim sikur që do të duhej të ishte kushti kryesor për përfitimin e beneficioneve e që nuk është për faktin se shumicës së të dënuarve u mohohet, për shkaqe objektive por edhe subjektive kjo e drejtë. Të dënuarit marrin kompensim nga 1 euro për një ditë pune. Shërbimi Korrektues i Kosovës, po të kishte një politikë të qartë në këtë drejtim, ka mundësi dhe kapacitet që të prodhojë mjeftueshëm jo vetëm për nevojat e këtij shërbimi por edhe të nxjerrë në treg të brendshëm por edhe të jashtëm. Nuk ka program të qartë risocializues për të dënuarit por kjo mbështetet thuaja vetëm në qasje individuale. Të dënuarve iu mungon motivi për sjellje të mirë për faktin se nuk ka ofertë të qartë se çka përfitojnë me këtë sjellje sikur që pak përfitojnë nga Paneli për Lirim me Kusht apo Falja nga presidenti. Pastaj , prej shumë kërkesave për lirim me kusht, shumë refuzohen me një arsyetim të njëjtë se:” përkundër faktit se kanë sjellje të mira, ende nuk është përmbushur qëllimi i dënimit …apo i risocializimit “. Ka raste kur një i dënuar i ka kaluar 2 të 3 –at e dënimit, nuk kanë asnjë vërejtje dhe për vite të tëra shkojnë në shtëpi për fundjavë ndërsa refuzohen nga Paneli apo presidenti. Kjo i demotivon të dënuarit për sjellje të mirë sikur që ua shkakton shumë probleme stafit korrektues dhe drejtuesve të institucioneve korrektuese. Në këtë kontekst pësojnë shumë femrat e dënuara, të miturit dhe shtetasit e huaj (sidomos nga Shqipëria dhe Serbia).

Gjendja e përgjithshme aktualisht: Ndryshimet e fundit brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës për KMDLNj paraqesin vetëm vazhdimin e lojës së re , me lojtarë të vjetër dhe me kartonë të verdhë ! Këto ndryshime nuk do të sjellin shumë përparime sepse paraqesin riciklim të problemeve të vjetra përmes atyre që kanë shkaktuar probleme apo kanë kontribuar në krijimin e tyre.

Realisht, krahasuar me vendet e rajonit, Shërbimi Korrektues i Kosovës, përkundër shumë problemeve dhe sfidave nuk qëndron keq , madje është më mirë, sidomos në trajtimin fizik të personave të privuar nga liria numri i të cilëve është i ulët dhe i papërfillshëm, krahasuar me këto vende. Kushtet materiale të vendosjes, pas rinovimeve të shumta (në shumë raste jocilësore), megjithatë janë më të mira, ushqimi është në përputhje me nevojat e personave të privuar nga liria dhe, KMDLNj e thotë botërisht se shumë familje në Kosovë nuk e kanë mundësinë ta kenë këtë ushqim në tryezat e veta. Trajtimi shëndetësorë është në përputhje me mundësitë që ofron shëndetësia publike, nuk mund të pretendoni të keni trajtim të shkëlqyer në burgje kur e kemi një shëndetësi publike siç e kemi!  Për herë të parë në Kosovë, nuk kemi mbipopullim të burgjeve por kemi vende të lira për faktin se janë ndërtuar kapacitete të reja ( sipas KMDLNj –së ) të panevojshme për faktin se pas një kohe mbesin të zbrazura ndërsa kushton mirëmbajtja e tyre.

Për KMDLNj, sfidë mbi sfidat për Shërbimin Korrektues të Kosovës është sigurimi i qëndrueshmërisë menaxheriale të këtij shërbimi, depolitizimi dhe departizimi i SHKK , krijimi i kushteve për oficerët korrektues, ofrimi i një perspektive të qartë motivuese për personat e dënuar, zhvillimi i ekonomisë brenda SHKK –ës dhe sigurimi i mbikëqyrjes më të madhe institucionale të këtij shërbimi nga komisionet parlamentare (Komisioni për të Drejatat e Njeriut, Komisioni për Legjislacion, Komisioni për Arsim. Komisioni për Siguri dhe komisioneve tjera). Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në planin e aktiviteteve të tyre duhet të përcaktojnë vizitat e rregullta institucioneve korrektuese dhe në raste të veçanta të bëjnë vizita të jashtëzakonshme, pa qëllime partiake dhe politike sikur që duhet të thërrasin për dëgjim organizatat që monitorojnë këto institucione. Në pika të shkurtëra është një vështrim i KMDLNj –së ndërsa më gjerësisht do të pasqyrohen në raportin e radhës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme