KMDLNJ: Qeveria urgjentisht ta ndërpresë pagesën e rrymës për komunat në veri

Prishtinë | 15 Gus 2022 | 14:38 | Nga Ekonomia Online

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka reaguar pas nisjes së reduktimeve me energji elektrike në vend dhe paralajmërimeve për shtrenjtim të rrymës, duke thënë se Qeveria e Kosovës urgjentisht duhet ta ndërpresë pagesën e rrymës për komunat e veriut dhe t’i trajtojë konsumatorët në përputhje me ligjet në fuqi.

Sipas KMDLNJ-së, Qeveria e Kosovës nuk e ka mbajtur premtimin se nuk do të paguajë në të ardhmen faturat e rrymës në veri, “duke vazhduar diskriminimin e konsumatorëve të rrymës në baza etnike”.

“Fillimi i reduktimit të rrymës në kohën kur shpenzimi i rrymës është më i ulët është një paralajmërim i keq për qytetarin. Në kohën kur kemi inflacion rreth 15 për qind dhe çmimet e artikujve elementarë po rriten, shtrenjtimi i rrymës do të godasë tepër rëndë ekonomitë familjare sikur edhe bizneset. Rritja e rrymës, në mënyrë zinxhirore do të rrisë çmimet e artikujve tjerë dhe të shërbimeve andaj KMDLNJ-ja kundërshton kërkesën e KESCO-s sikur edhe reduktimet që tashmë kanë filluar, duke kërkuar nga qeveria që të mbrojë interesin e qytetarëve duke pamundësuar ngritjen e çmimit të energjisë elektrike”, thuhet në reagim.

KEDS ka njoftuar se energjia elektrike e blerë ka shkaktuar humbje enorme, andaj KEDS dhe KESCO nuk mund të bartin më të vetme barrën e krizës botërore energjetike dhe pasojat e saj në Kosovë, duke kërkuar me urgjencë veprimin e akterëve tjerë në përballje me krizën.

Aktualisht prodhimi ditor i Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës (KEK) është rreth 507 MWh, teksa kërkesa për konsum është deri në 750 MWh.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë humbjet komerciale dhe teknike të KEDS janë 19%.

Të ngjashme