KMDLNJ: Shteti u shpalli luftë ndotësve të vegjël, ndërsa amnistoi vrasësit e mëdhenj TC Kosova A dhe B

Prishtinë | 30 Jan 2018 | 15:24 | Nga

Këshilli për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thotë se Ministria për Punë të Brendshme, ajo e Mjedisit dhe Komuna e Prishtinës i kanë “shpallur luftë” dy ndotësve të ajrit, veturave si ndotës i madh dhe heqja nga tregu i shitjes së thëngjillit, si ndotës minor kolateral kurse e kanë amnistuar kryendotësin apo “vrasësin” e ajrit në Prishtinë dhe rrethinë, termocentralet Kosova A dhe Kosova B.

“Paralajmërimi i kufizimit apo ndalimit të hyrjes së automjeteve në Prishtinë është diskriminues dhe do të prodhojë kaos në trafik sikur edhe shumë probleme për të punësuarit. Prishtina nuk ka kapacitet të parkingjeve për vendosjen e gjitha veturave në periferi të qytetit e as kapacitet për transportimin e udhëtarëve me autobus nga vendi ku i lënë veturat, deri te vendi i tyre i punës, shkollimit, banimit apo objektet shëndetësore dhe institucionale”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

Sipas këtij këshilli, ndarja e veturave sipas numrit të fundit të tabelës në tek dhe çift do të ishte zgjedhje e përkohshme që e mbanë nën menaxhim kaosin e mundshëm në trafik.

“Nëse ndalohet hyrja në qytet e të gjitha veturave, Prishtina do të paralizohej kurse lejimi selektiv i hyrjes së veturave do të ishte diskriminim. Në këtë rast do të lejohej vetëm hyrja e veturave që janë të domosdoshme si : e ndihmës së shpejtë , policisë , zjarrfikësve , furnizuesve , taksive dhe disa shërbimeve të domosdoshme. Kjo , në mungesë të sqarimit të mjaftueshëm për qytetarë , do të shkaktojë bllokim të qytetit”, thuhet tutje në reagim.

Gjithashtu sipas KMDLNj-së, ndalimi i shitjes së thëngjillit në treg do të ishte rrezikim i shëndetit të kategorive sociale që janë përdoruesit (për shkak të gjendjes së rëndë materiale) të ngrohjes me thëngjill.

“Nëse qeveria apo komuna e Prishtinës ua siguron një mundësi alternative për ngrohje, atëherë edhe mund të ndalohet shitja e thëngjillit për ngrohje.

Pastaj, nëse i referohemi njohësit më të besueshëm për mbrojtje të mjedisit në Kosovë, z. Luan Shllaku ngrohja me thëngjill është ndotës i papërfillshëm i mjedisit krahasuar me dy “vrasësit“ e mjedisit në Prishtinë dhe më gjerë. Termocentralet Kosova A dhe B dhe cilësia e dobët e karburanteve, veturat dhe mjetet e tjera të transportit që për këtë arsye emetojnë gazra helmues shumëfishë mbi vlerat e lejuara”, thuhet tutje në reagim.

se ‘mjedisit në Kosovë po i shtohet edhe një “vrasës” tjetër , Kosova e Re që po ndërtohet pa debat dhe pa përfillur sugjerimet e ekspertëve mjedisorë. Politika e kriminalizuar vendore dhe ndërkombëtare, për fitime të mëdha materiale kanë kontribuar në ndotjen e madhe të mjedisit në Kosovë përmes importimit të karburanteve me cilësi shumë të dyshimtë e që nuk kontrollohen fare e sidomos me dyshim “vrasës” të ambientit, Termocentrali Kosova A dhe Kosova B dhe i treti që po vjen, Kosova e Re’.

“Nëse e marrim si bazë ruajtjen e mjedisit dhe ruajtjen e shëndetit të qytetarëve të Kosovës si e drejtë elementare e njeriut, improvizimet e çastit që po propozojnë institucionet qendrore dhe lokale nuk janë zgjidhje e mirë por zgjedhje e dhunshme emergjente që në planin afatgjatë vetëm sa do ta përkeqësojnë ekosistemin në Kosovë dhe shëndetin e qytetarëve të saj”, thuhet në përfundim të reagimit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme