Koalicioni i OJQ-ve kërkon që përzgjedhja e kryeprokurorit të kthehet në pikën zero

Prishtinë | 24 Mar 2022 | 10:19 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Koalicioni i OJQ-ve, FOL, IKD dhe GLPS, ka kërkuar që përzgjedhja e Kryeprokurorit të Shtetit të anulohet, pasi sipas tyre ky proces ka dështuar dhe se asnjë nga kandidatët nuk ka treguar shkathtësi për këtë pozitë, raporton Ekonomia Online.

Në publikimin e raportit me titull “Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit (Raport i monitorimit dhe vlerësimit të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit)”, thuhet se ky proces ka dështuar dhe si i tillë të kthehet në pikën zero.

Gjatë monitorimit të këtij procesi, ata thonë se kanë parë një trajtim jo të barabartë që iu është bërë kandidatëve.

Mexhide Demolli, nga Lëvizja Fol, tha se metodologjia e monitorimit është bazuar në legjislacionin në fuqi. Tha se ky monitorim është bërë me pajtim të tria OJQ-ve.

“Vlerësimi i strukturës për përzgjedhjen, analizimin e kandidatëve, monitorimin e intervistave. Koalicioni ka pasur mundësi të bëjë monitorim të plotë. KPK ka publikuar të gjithë koncept dokumentet e kandidatëve. Metodologjia e monitorimit jemi bazuar në legjislacionin në fuqi. Koncept dokumenti që ka 30 pikë dhe njohuritë deri në 20 pikë”, tha ajo.

Gëzim Shala nga IKD, ka thënë se koalicioni ka gjetur se ky proces nuk ka dizajnim adekuat.

Tutje, ai ka thënë se nëse Këshilli Prokurorial nuk e anulon procesin, topi bie te presidentja Vjosa Osmani.

“Kushtetua dhe ligjet promovojnë një proces të paanshëm kjo frymë pengohet si nga udhëzuesi e po ashtu edhe nga formulari. Disa prej çështjeve në këtë formular janë të ndërtuara mbi bazën e legjislacionit që nuk është më në fuqi. Edhe shumë kandidat e kanë pasur një lloj vështirësi për të dalluar kompetencat ndërmjet Kryeprokurorit të Shtetit dhe Këshillit Prokurorial. Këshilli Prokurorial ka shpallur konkursin dhe kanë aplikuar 6 kandidatë. Arben Ismaili ka kërkuar nëse emërimi i tij përbën konflikt interesi. Arben Ismaili është tërhequr nga gara. Blerim Isufaj 8 muaj më vonë është zgjedhur në prokurorinë speciale. Këshilli prokurorial ka pasur mundësi ta trajtojë këtë çështje por nuk ka shprehur vullnetin. Mbi bazën e metodologjisë kemi bërë edhe rangimin e këtyre 5 kandidatëve si rangim të përgjithshëm. Gjatë monitorimit kemi parë një trajtim jo të barabartë që iu është bërë kandidatëve”, tha Shala.

“Për Blerim Isufaj ka pasur preferencë edhe gjatë intervistës. Nëse kërkohet rishpallja e konkursit procesi kthehet në pikën zero. Këshilli në bazë të ligjit duhet ta caktojë ushtruesin e detyrës. Procedurat për emërimin e kryeprokurorit janë të qarta nëse ka vullnet nga këshilli e që definitivisht duhet të ketë”.

“Ashtu siç e përmenda përtej këshillit akter i përfshirë është presidentja e vendit. Nëse këshilli nuk merr rekomandim për të kthyer në pikën zero edhe presidentja duhet ta marrë në konsideratë këtë vendim”, tha Shala.

Rreze Hoxha-Zhuja nga GLPS-ja ka paraqitur rekomandimet e nxjerra nga koalicioni i OJQ-ve, IKD, GLPS dhe Lëvizja FOL.

“Koalicioni rekomandon që komisioni vlerësues të publikojë vlerësimin me arsyetimin mbi poentimin për secilin kandidatë, në mënyrë që të arrihet transparencë e plotë deri në fundit të procesit. KPK-ja të anulojë procesin e përzgjedhjes dhe emërimit të Kryeprokurorit për shkak të shkeljeve procedurale dhe defekteve të evidentuara nga koalicioni i OJQ-ve; të shpallet konkurs i ri duke vazhduar me praktikën e njëjtë të transparencës sa i përket publikimit të koncept-dokumentit dhe procesit të intervistimit. KPK-ja të plotësojë dhe ndryshojë rregulloren për procesin e përzgjedhjes dhe emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit, në formularin e koncept-dokumentit ngase i njëjti nuk siguron meritokraci; pyetjet në koncept-dokument duhet të orientohen më shumë rreth pozitës së Kryeprokurorit dhe formulohen në atë mënyrë që të vlerësojnë shkathtësitë dhe aftësitë se sa njohuri të përgjithshme”, ka thënë Hoxha-Zhuja.

Komunikata për medie e koalicionit të OJQ-ve:

Organizatat Jo-Qeveritare Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Lëvizja FOL (Tutje: Koalicioni), organizuan sot Konferencën për Media për prezantimin e raportit me titull: “Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit (Raport i monitorimit dhe vlerësimit të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit)”.

Koalicioni, monitorimin dhe vlerësimin në fjalë e ka bazuar në katër shtylla: 1) Vlerësimi i strukturës së procesit për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit; 2) Analizimin e Koncept Dokumenteve të kandidatëve; 3) Monitorimin e intervistave; dhe 4) Qasjen e panelit vlerësues ndaj kandidatëve.

Koalicioni ka vlerësuar lartë faktin se për dallim nga rastet e kaluara, KPK ka treguar një shkallë të lartë të transparencës përkitazi me këtë proces ku ka publikuar të gjitha Koncept Dokumentet e kandidatëve, ka lejuar monitorimin direkt të intervistave si dhe ka transmetuar intervistat në televizionin publik. Kjo ka mundësuar që koalicioni të bëjë një vlerësim objektiv dhe gjithëpërfshirës të gjithë procesit.

Koalicioni ka vlerësuar që paneli vlerësues përgjatë këtij procesi nuk arrin që kriteret e përcaktuara me kornizen ligjore t`i zbatoj në praktikë, përmbushja e të cilave përveç që është obligim ligjor, të njëjtat supozohet që të sigurojnë meritokraci në fund të procesit.

Koalicioni vlerëson se paneli intervistues ka dështuar në një vlerësim objektiv dhe gjithëpërfshirës  të kandidatëve ndërsa në anën tjetër kandidatët nuk kanë demonstruar njohuri, aftësi dhe shkathtësi për udhëhequr për një pozitë siç është pozita e Kryeprokurorit të Shtetit duke e bërë të pavlefshëm të procesit.

Koalicioni gjatë monitorimit dhe vlerësimit të procesit ka vërejtur se jo të gjithë kandidatët janë trajtuar në mënyrë të barabartë, ku për disa kandidatë Paneli Vlerësues ka pasur një qasje të privilegjuar e cila qartazi është vërejtur në publik.

Paneli intervistues nuk ka ndërtuar një intervistë të strukturuar. Kjo më së miri vërehet që disa nga kandidatët pyeten me pyetje shtesë, për dallim nga kandidatët e tjerë. Sikurse, ka pasur pyetje të cilat i janë parashtruar vetëm një kandidati dhe jo edhe kandidatëve të tjerë. Për disa kandidat, i tërë procesi i intervistimit është zhvilluar vetëm në raport me Koncept Dokumentin e dorëzuar, por jo edhe duke bërë pyetje të cilat vërtetojnë zotësitë dhe shkathtësitë e kërkuara, si pjesë e intervistës.

Lidhur me integritetin e kandidatëve, paneli vlerësues ka parashtruar pyetje të përgjithshme për secilin kandidat, duke e lënë në diskrecionin e kandidatit për të vlerësuar rastet të cilat ai konsideron se cënojnë integritetin e tij. Nga të gjithë kandidatët, vetëm kandidatit z. Armend Hamiti i bëhen dy (2) nënpyetje shtesë lidhur me rastin e publikuar nga mediat, dy (2) ditë para intervistës.

Në rastin e z. Isufaj, Paneli Vlerësues nuk bënë asnjë nënpyetje lidhur me mbylljen e rastit për deklarim të rremë të pasurisë të parashtruar nga AKK, një trajtim ndryshe nga z. Armend Hamiti i cili sfidohet me dy (2) nënpyetje për një rast të raportuar në media. Po ashtu, z. Isufaj nuk pyetet dhe as nuk jep ndonjë sqarim lidhur me opinionin e AKK-së që konstatonte se emërimi në pozitën e kryeprokurorit brenda periudhës prej (2) viteve pas përfundimit të mandatit si anëtar i KPK-së, përbën konflikt të interesit. Përkundër faktit se z. Isufaj gjatë intervistës së tij thotë se në secilin rast kur ka dyshuar për konflikt të interesit këtë e ka raportuar tek eprori, i njëjti nuk pyetet dhe nuk jep sqarime se pse nuk e ka bërë këtë me rastin e emërimit të tij në krye të PSRK-së, sikurse ka vepruar z. Arben Ismajli.

Tutje, Z. Isufaj po ashtu as nuk është pyetur dhe as nuk ka dhënë sqarime lidhur me akuzat publike të ish-prokurorit special Elez Blakaj të bëra ndaj tij për ndërhyrje në rastin e veteranëve. Në rastin e z. Isufaj, ka pasur edhe raste të tjera që kanë dalur në publik të cilat kanë vënë në dyshim integritetin e z. Isufaj, e të cilat raste janë kaluar në heshtje si nga paneli intervistues ashtu edhe nga ana e z. Isufaj.

Në heshtje kanë kaluar edhe shumë raste të cilat në publik kanë vënë në dyshim integritetin e kandidatit Kujtim Munishi. Raste të kësaj natyre janë rasti i “Bentley të Morena Tarakut”, rastin e dhunë në familje ku ka mbetur e vdekur Sebahate Morina, e që Institucioni i Avokatit të Popullit dhe disa OJQ kanë konsideruar se Prokuroria Themelore në Prishtinë tani të ndjerës Sebahate Morina ia ka shkelur të drejtën në jetë.

Lidhur me këtë Koalicioni vlerëson se pjesa e intervistës lidhur me integritetin ka qenë mundësi adekuate si për kandidatët, panelin vlerësues por edhe për publikun për të marrë sqarimet e duhura nga kandidatët mbi dyshimet e ngritura në publik.

Megjithatë, në bazë të asaj që është prezantuar, në bazë të vlerësimit të përgjithshëm, koalicioni rangon kandidatët në këtë mënyrë: 1) Shqipdon Fazliu, 2) Armend Hamiti, 3) Blerim Isufaj, 4) Kujtim Munishi dhe 5) Lulzim Sylejmani.

Sa i përket pjesës së Koncept Dokumentit, Koalicioni ka ranguar kandidatët në këtë mënyrë: 1) Armend Hamiti, 2) Shqipdon Fazliu dhe tre (3) të tjerët rangohen në pozitën e njejtë.

Ndërsa, sa i përket pjesës së intervistës, koalicioni ka ranguar kandidatët në këtë mënyrë: 1) Shqipdon Fazliu, 2) Armend Hamiti, 3) Blerim Isufaj, 4) Lulzim Sylejmani dhe 5) Kujtim Munishi. 

Duke marrë parasysh faktet dhe rrethanat e cekura më lartë, koalicioni rekomandon:

1)      Të anulohet komplet procesi i përzgjedhjes dhe emërimit të Kryeprokurorit të shtetit për shkak të shkeljeve procedurale dhe defekteve të evidentuara nga koalicioni në procesin e monitorimit dhe vlerësimit të këtij procesi;

2)      Komision Vlerësues të publikoj vlerësimin me arsyetim mbi poentimin për secilin kandidat;

3)      KPK të plotësoj dhe ndryshoj Rregullorën për Procesin e Përzgjedhjes dhe Emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve, me theks të veçantë formularin e koncept dokumentit;

4)      Të shpallet konkursi i ri duke vazhduar me praktikën e njëjtë të transparencës për sa i përket publikimit të koncept dokumenteve dhe procesit të intervistimit;

5)      Pyetjet në koncept dokument të orientohen më shumë rreth pozitës së Kryeprokurorit dhe formulohen në atë mënyrë që vlerësojnë shkathtësitë dhe aftësitë se sa njohuritë e përgjithshme;

6)      Intervista të jetë e strukturuar dhe ky nivel të ruhet gjatë gjithë procesit dhe me të gjithë kandidatët;

7)      Tek elementi siç është vlerësimi i integritetit, paneli vlerësues sipas detyrës zyrtare duhet të hulumtoj të kaluarën e secilit kandidat pastaj duke paraqitur pyetje të njëjta për secilin kandidat të vlerësoj një cilësi të tillë pyetjet të bëhen në atë formë.

Të ngjashme