Koci: Aktakuzat e Speciales pas pushimeve verore

Prishtinë | 01 Kor 2017 | 09:30 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Avokati, Arianit Koci në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se nuk pret që gjatë verës të ngrihen aktakuza për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Gjykatës Speciale. Kjo për shkak se është koha e pushimeve verore.

“Në fakt infrastruktura ligjore është përfunduar dhe brenda shtatë dite Gjykata Speciale është e funksionalizuar dhe mund të fillojnë veprimet konkrete të prokurorisë. Unë besoj se për shkak të kohës së pushimeve tash është një dinamikë e ngadalësuar dhe nuk pres që do të ketë menjëherë arrestime apo ngritje të aktakuzave sidoqoftë prokuroria në disa raste di edhe të befasojë , pra elementin e befasisë e përdor shpesh kështu që nuk ka asnjë pengesë ligjore të fillohet me veprime konkrete nga ana e prokurorisë”, ka thënë ai.

Por Koci nuk përjashton mundësinë që prokuroria edhe të befasojë me ngritjen e aktakuzave.

“Në këtë fazë është vështirë me prognozuar si duhet por sido që të jetë prokuroria është gati që të fillojë me veprime”, tha ai.

Sipas tij, Gjykata Speciale nuk do të merret menjëherë me aktakuzat të profilit të lartë. Mosprezenca e gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë në Gjykatën Speciale ai e ka quajtur diskriminim.

“Prej fillimit e kam ngrit këtë çështje kam menduar që së paku një apo dy gjyqtarë kosovarë, një apo dy prokurorë kosovarë duhet të jenë shqiptarë, e di që sistemi jonë i drejtësisë në një mënyrë ka dështuar por kemi individë të cilët kanë mundur me kryer atë punë thjesht gjyqtari vendor i kishte ndihmuar trupit gjykues, kolegjeve që me kuptuar edhe mentalitetin dhe mënyrën si funksionon shoqëria jonë, është vendos si është vendos tash dhe këtë proces duhet ta shtyjmë përpara edhe pse nuk ka unë mendoj që është një lloj diskriminimi për neve por nuk kemi çka të bëjmë vazhdojmë më tutje”, ka shtuar Koci.

Mirëpo është shprehur i bindur se beson në luftën e pastër të UÇK-së.

“Pa dyshim se Gjykata Speciale nuk është formuar që të merret me peshqit e vegjël siç i quajmë në thonjëza, pra mund të jetë target i tyre edhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së sidoqoftë për presidentin konkretisht në këtë fazë nuk dua të spekuloj të shohim çka po bëjnë prokuroria, cilat veprime po i ndërmerr në fakt unë besoj në pastërtinë e luftës se Hashim Thaçit”, ka thënë ai.

Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese ka shpallur aktgjykim pozitiv për rregullat e rishkruara të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Gjykatës Speciale. Sipas këtij aktgjykimi, rregullat e rishkruara të rregullores në fjalë janë në përputhje më Kushtetutën e Kosovës.

Rregullat në fjalë, janë rishkruar pasi muaj më parë Kushtetuesja i shpalli në mospërputhje me Kapitullin e dytë të Kushtetues së Kosovës.

Sipas këtij aktgjykimi shtatë ditë pas shpalljes së këtij aktgjykimi, Gjykata Speciale mund të fillojë aplikimin e tyre që nënkupton ngritjen e aktakuzave të para.

Kjo gjykatë do të gjykojë krimet e pretenduar të ish-pjesëtarëve të UÇK-së ndaj popullatës civile të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve politikë nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000’, siç e ka përshkruar në raportin e tij për Këshillin Evropian senatori zviceran Dick Marty.

Të ngjashme