Koci: Ekstradimi i Haradinajt në Speciale, spekulim i Beogradit

Prishtinë | 23 Jan 2017 | 11:31 | Nga

Avokati i Ramush Haradinajt, Arianit Koci ka hedhur poshtë pretendimet e prokurorit serb, Milan Petroviq lidhur me ekstradimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj në Gjykatën Speciale.

Koci në një prononcim për Telegrafin ka thënë se Milan Petroviq, udhëheqësi për Krime Lufte në Serbi, po e përdorë një gjuhë të pazakontë për juristët.

“Ai për Deutsche Welle ka deklaruar se Haradinaj mund t’i dorëzohet Gjykatës Speciale të posa-formuar, dhe se sipas tij, po parafrazoj, ky opsion është i mundshëm, dhe çdo herë po përmendet më shumë. Kjo natyrisht nuk është e vërtetë”, ka thënë Koci.

Ai më tej ka shtuar se po përdoret diskurs spekulativ për ta mbuluar natyrën politike të kërkesës së Serbisë.

“Vet Avis Benes, zëdhënësja e Dhomave të Posaçme të Gjykatës Speciale, me datën 5 janar 2017, ka deklaruar se ‘ky ndalim nuk është kryer në kuadër të mandatit të Dhomave Speciale të Kosovës’. Sot po ashtu e kuptuam prej  Avis Benes, se detyra e parë e presidentes së kësaj gjykate, Ekatarina Trandafillova, është përgatitja e seancës plenare për gjyqtarët”, u shpreh Koci.

Avokati Koci më tej ka bërë të ditur se seanca plenare nuk mund të mbahet pa u zgjedhur gjyqtarët.

“Pra, Gjykata Speciale ende nuk ka gjyqtar të zgjedhur”, tha ai.

Koci më tej shtoi se kundër Haradinaj dhe kundër Kosovës po vazhdon lufta speciale.

“Ramush Haradinaj shumë shpejt do të kthehet në Kosovë”, tha Koci, duke shtuar se problemi është i natyrës teknike.

“Serbia po e zvarritë procesin duke mos e dërguar kërkesën dhe dokumentet përcjellëse”, theksoi Koci.

Ramush Haradinaj po vazhdon të mbahet ende në Francë pasi që javë më parë u arrestua nga autoritetet franceze për shkak të një urdhër arresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004.

 

Të ngjashme