Koci: Serbia po e shantazhon Francën për ekstradimin e Haradinajt

Prishtinë | 10 Shk 2017 | 15:03 | Nga

Arianit Koci, avokati i liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i cili që nga 4 janari po mbahet në Francë në bazë të një fletarresti serb ka shprehur bindjen se ekstradimi i Haradinajt për në Serbi do të refuzohet.

Koci në një prononcim për Telegrafin tha se Serbia po e shantazhon Francën për ekstradimin e Haradinajt.

Ai sqaroi se nëse Gjykata e Colmarit vendos për ekstradim, atëherë mbrojtja mund të bëjë ankesë dhe në fund është ministri i Drejtësisë që vendos lidhur me ekstradimin.

“Nëse refuzohet kërkesa për ekstradim, e jam i sigurt që do të refuzohet, kjo çështje përfundon. Por, në rast që gjykata në Colmar vendos që ta ekstradoj z. Haradinaj, atëherë është ministri i Drejtësisë, ai vendos për ekstradim”, tha Koci.

Por sipas avokatit Koci, ekstradimi i Haradinajt për në Serbi nuk mund të ndodhë.

“Kërkesa e Serbisë është politike dhe riciklim i akuzave që janë trajtuar në Tribunalin e Hagës. Thjesht, Serbia po e keqpërdor të drejtën ndërkombëtare. E ndaj z. Haradinaj e kanë një inat të posaçëm. Nuk ja falin luftën për pavarësi dhe betejat e fituara kundër regjimit gjenocidal të Millosheviqit. Ramushi është hero i gjallë, krenaria e jonë, prandaj sulmi ndaj tij është sulm ndaj Kosovës”, tha ai.

“Udhëheqësit e saj kanë thënë publikisht se nëse nuk e ekstradojnë z. Haradinaj në Serbi, atëherë as ata nuk do ta ekstradojnë askënd në Francë”, u shpreh Koci.
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme