Kodi i ri Penal nesër në Qeveri, Tahiri thotë se s’do të falet askush

Prishtinë | 12 Pri 2018 | 11:33 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka prezantuar Kodin e ri Penal. Sipas ministrit Tahiri, Kodi është në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian (BE) si dhe në harmoni të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

Sipas tij, Kodi të prezantohet nesër në Qeveri për t’u proceduar më pastaj në Kuvend, raporton Ekonomia Online.

“Kodi Penal është produkt në harmoni të plotë me standarde të Bashkimit Evropian. Këto ndryshime dhe kjo qasje do të ofrohet ekskluzivisht në parime kushtetuese”.

Sipas kreut të MD-së, Kodi i ri Penal nuk do të lejojë hapësirë për mosdënim të atyre që kryejnë vepra.  Me ndryshimet në Kodin Penal, janë paraparë ndëshkime më të ashpra për veprat penale që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe terrorizmin.

Edhe për konfliktin e interesit janë paraparë dënime me burg, krahas gjobave. Pastaj, edhe për parandalimin, hetimin dhe ndjekjen e trafikimit të qenieve njerëzore, duke përfshirë shfrytëzimin seksual të fëmijëve.

Madje sipas Tahirit, ky kod do t’i rrisë afatet për parashkrimin e lëndëve si dhe për suspendimin e një zyrtari publik për 10 vite nëse kryen një vepër penale.

“Në veprat që hyjnë në rrafshin e krimit të organizuar dhe korrupsionit janë rishikuar 19 nene. Po ashtu janë rritur afatet e parashkrimit për këto vepra. Kjo u jep gjykatave më shumë kohë për me i përfunduar rastet që kanë të bëjnë me krim të organizuar dhe korrupsion”.

““Rrjedhimisht, janë propozuar amendamentet e reja që i ndalojnë personit zyrtar ushtrimin e funksionit në administratën publike apo në shërbimin publik deri në 10 vjet nga aktgjykimi dënues. Kjo dispozitë parasheh që kur zyrtari publik të dënohet për vepër penale të korrupsionit, atij t’i ndalohet ushtrimi i funksioneve në shërbim publik deri në dhjetë vjet” .

“Ky draft paraqet draftin e konsoliduar dhe progresiv që nga njëra anë adreson probleme konkrete dhe nga ana tjetër shënon një progres të lartë. Unë jam i bindur që me këtë propozim të ri nuk do t’iu lëmë mundësi gjyqtarëve dhe prokurorëve të mos jenë të mëshirshëm ndaj atyre që e keqpërdorin po paraqesim një mendësi të re një politikë të re. Nesër do të jetë në mbledhjen e qeverisë së Kosovës”, tha Tahiri.

 

Të ngjashme