KOK takon shoqata të shumta në Ditën për Persona me Aftësi të Kufizuara

Prishtinë | 03 Dhj 2018 | 18:26 | Nga Ekonomia Online

Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me Komitetin Paraolimpik të Kosovës organizuan pritje për shoqatat që përfaqësojnë personat me aftësi të kufizuara në Ditën Ndërkombëtare për Persona me Aftësi të Kufizuara.

Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, duke i uruar shoqatat për këtë ditë, tha se kemi vendos moton e këtij takimi “Reflektim”, në mënyrë që së bashku të reflektojmë për një bashkëpunim edhe më të frytshëm, duke nisur nga aktivitete të përbashkëta prej vitit 2019 e më të tutje. I pari i KOK-ut shprehu gatishmërinë për të ndihmuar me kapacitetet që posedon KOK-u.

Kryetarja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomëza Emini, kërkoi të rritet bashkëpunimi me shoqatat, derisa zbuloi se në Asamblenë e Ardhshme të Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar do të dërgojnë kërkesën për anëtarësim.

Bujar Kadriu, kryetar i FKAK-së, kërkoi që të gjithë së bashku t’i bashkohen motos reflektim, në mënyrë që së bashku të fuqizojnë edhe rolin e Komitetit Paralimpik të Kosovës.

Sebahate Beqiri nga Syndrom Down, tha se gjendja e personave me aftësi të kufizuara nuk është e mirë, derisa bëri thirrje për reflektim edhe ndaj notares, Medina Surdulli, e cila ishte e pranishme. Sipas Beqirit, Medina është përkrahur financiarisht nga MKRS, duke përfituar edhe bursë, por mosha e saj ka bërë që ajo tani mbështetësin e vetëm ta ketë familjen.

Reflektim kërkuan edhe Daut Tishuku nga Shoqata e të Verbërve dhe Drita Dushi nga Olimpiada Speciale, ndërsa Ajan Saraqi nga Handikos Kosova kërkoi të bëhet sa më parë Liga e Basketbollit për persona me karroca.

Gjatë diskutimeve të shumta të të gjithë përfaqësuesve të shoqatave u vendos të themelohen klube dhe federata për personat me aftësi të kufizuara, të cilat do të funksionin nën ombrellën e Komitetit Paralimpik të Kosovës. Takimi i ardhshëm, sërish në zyret e KOK-ut, do të mbahet më 25 dhjetor 2018.

Hasani, së bashku me sekretarin e përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, nënpresidentët, Gazmend Maxhuni e Milaim Kelmendi, si dhe anëtarin e Bordit Ekzekutiv, Avni Nuha, pritën Organizatat: Syndrom Down, Forumi Kosovar për Aftësi të Kufizuara (FKAK), Shoqata e të Verbëve, Shoqata e Autizmit, Federata e të Verbërve të Kosovës, Olimpiada Speciale, Handikos Kosova dhe OPFAKOS.

Të ngjashme