Kokaina e sekuestruar kishte ardhur nga Brazili, Lumezi: Rreth 400 kg janë kapur me vlerë prej 20 milionë €

Prishtinë | 17 Maj 2021 | 20:11 | Nga Majlinda Ibrahimi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Kosovë janë sekuestruar rreth 400 kilogramë kokainë me vlerë prej 20 milionë eurove. Nga ky aksion shtatë persona janë arrestuar. Sipas Kryeprokurorit të Kosovës, Aleksandër Lumezi, droga kishte ardhur nga Brazili, raporton Ekonomia Online.

Nga aksioni i Prokurorisë së Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, të Shqipërisë, si dhe me shtetin italian, janë arrestuar shtatë kosovarë dhe disa të tjerë janë në kërkim.

Lumezi, ka thënë në konferencë për medie se në hetimin ku rezultoi me konfiskimin e 400 kilogram kokainë në qytetin e Lipjanit, janë përdorur mjete të fshehta hetimore teksa ka shtuar se do të luftohet krimi i organziuar.

“Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me policinë, autoritet italiane dhe auto amerikane. Janë konfiskuar 400 kg kokainë vlera e të cilave arrinë rreth 20 milionë euro. Po ashtu janë konfiskuar disa makina dhe mjete tjera. Gjatë hetimit janë përdorur masa të fshehta duke shikuar lëvizjen e të dyshuarve nga Italia deri në vendin tonë. Ju dërgojmë mesazh të qartë të gjitha grupeve kriminale se do të përballen me drejtësinë. Jemi të vetëdijshëm se nuk mund të luftohen nga një shtet i vetëm. Ashtu kemi bashkëpunuar me shtete tjera duke e ditur se krimi mund të na prek të gjithëve. kemi arritur të mposhtim krimin e organizuar. Më lini të falënderoj prokurorët e Shqipërisë, Prokurorët Italianë, policinë shqiptare dhe policinë e Italisë”, tha ai. 

Ndërsa, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Sabedin Mehmeti, tha se droga e konfiskuar ishte e kamufluar në pako të mishit.

“Policia në 3 maj në 2021 ka marr lajm se një dërgesë nga porti i Durrësit do të vijë në Kosovë. Me komunikimin me Itali kemi bashkëpunuar për të përcjell këtë rast. Ka arritur 15 maj në Kosovë, kjo ngarkesë është përcjell nga Policia e Kosovës. Sot në ora 11 kanë filluar të dyshuarit për të tërhequr substancën, kemi arrit të arrestojmë të dyshuarit. Ishte e kamufluar në pako të ndryshme të mishit. 7 persona të Kosovës janë arrestuar. Policia është në kërkim të disa personave të tjerë që dyshohet se ka qenë pjesë”, u shpreh ai.

Kryeprokurori i prokurorisë së posaçme të Shqipërisë, Arben Kraja, tha se efektiviteti i këtij aksioni ka qenë në lartësi të duhur, duke vlerësuar bashkëpunimin e autoriteteve kosovare dhe ato italiane.

“Ajo që dua të them janë dy momente, grupet kriminale e ushtrojnë autoritetin në një territor të gjerë, dhe tregon sa ka rrezikshmëri, dhe reagimi i shteteve na tregon se nëse bashkëpunojmë do të kemi sukses. Efektiviteti ishte në lartësi te duhur. Jemi të gatshëm të merremi me të gjithë që përfshihen në kësi aktivitete”.

Përfaqësuesi i autoriteteve italiane, Gabrielo Garrieri, tha se ky ka qenë një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit të shteteve.

“Ka qenë shumë me rëndësi ta dimë destinacionin se prej nga ka ardhë dhe ku do të përfundojë. Ka qenë një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit të autoriteteve”.

Të ngjashme