Komandant Kapuçi ndër më meritorët për Ushtrinë

Prishtinë | 14 Dhj 2018 | 16:49 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nën patronazhin e kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj, është mbajtur Akademia Përkujtimore e 20 vjetorit të rënies së heroit Mujë Krasniqi dhe 40 bashkëluftëtarëve të tij.

Kryeministri Haradinaj tha se Muja ishte prej luftëtarëve të parë, ndërsa shtoi se dita e sotme gëzoi varret dhe të gjallët, raporton Ekonomia Online.

“Nëse ndryshe duam me shprehim pse është kaq e madhe kjo humbje atëherë duhet të tregojmë Mujën. Muja ishte prej luftëtarëve të parë, nuk ishte vetëm luftëtar i betejës, kudo që ishte Muja njerëzit u bashin luftëtarë, kudo që shkojke aty u bëke lufta. Ka qenë shumë zor me qenë ushtar i tij sepse ai ka qenë aq luftëtar sa që ka qenë vështirë me qenë afër tij”, tha Haradinaj.

“Edhe pse pas kësaj humbje kaq të madhe, prapë është interesant nuk është zbehë lufta për liri.  Prapë nuk u zbeh besimi dhe bindja se jemi në të drejtën tonë, po shkojmë kah liria. Ushtari i Kosovës i fundit hyri në rreshtin e ushtrisë së paqes. Sot është ditë që i gëzoj edhe varret edhe të gjallët. S’ka ditë më të mirë se me iu thënë Mujës, Jasharëve dhe gjithë brezave, prehuni të qetë”, shtoi Haradinaj, transmeton EO.

Ndërsa, kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se pikërisht data e formimit të Ushtrisë së Kosovës, datë është data e rënies së një prej komandantëve në emblematikë të Kosovës.

Ai tha se këtë ditë nuk po mungojnë vetëm dëshmorët por edhe të gjallët që është Sylejman Selimi.

“Kjo datë do të ishte 14 dhjetori sepse kjo datë është data e rënies së një prej komandantëve në emblematikë të Kosovës. Komandant Kapuçi është njëri ndër më meritorët për ditën e sotme. Bashkë me komandantin legjendar Adem Jashari, ne sot qëndrojmë ballë hapur para tyre. Jemi krenare që ishim bashkëluftëtarë të tyre. Jemi krenarë që amanetin e tyre e plotësuam sot me ushtrinë e Kosovës. Sot në këtë ditë historikë nuk na mungojnë vetëm dëshmoret, por edhe ata të gjallët që munguan sot, komandanti i forcave të Kosovës, Sylejman Selimi”, tha Veseli.

Në emër të shoqatave të dala nga lufta ka folur, Xhavit Jashari. Edhe ai e qyajti të vecantë këtë ditë, pikërisht për shkak të krijimit të ushtrisë dhe rënies së Mujë Krasniqit.

“Asnjë luftë nuk organizohet pa ushtri, një nga komandantët ishte edhe Mujë Krasniqi. Në 20 vjetorin e rënies së tij, Kosova u bë me ushtri. Është shumë domethënëse sepse të gjitha kalkulimet dhe paragjykimet po treten si flluska sapuni para të vërtetës historike se çdo vend që e ka fituar lirinë e saj duhet ta ketë ushtrinë e saj”, tha Xhavit Jashari.

Mujë Krasniqi i njohur si komandant “Kapuçi”, ra heroikisht së bashku me 41 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 14 dhjetor 1998, në një pritë nga forcat serbe, afër kufirit Kosovë-Shqipëri.

Mujë Krasniqi ishte ndër shkëndijat e para të luftës së armatosur të UÇK-së në Kosovë, si dhe njëri ndër të parët luftëtarë të paktë të UÇK-së.

Të ngjashme