KOMF kërkon mbrojtje për vajzën e dhunuar në Drenas, jep rekomandime për institucionet

Prishtinë | 07 Shk 2019 | 14:34 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF), nisur nga rasti i fundit i abuzimit seksual i nxënëses nga Komuna e Drenasit, ka mbajtur konferencë të jashtëzakonshme për media.

Aty u kërkua nga institucionet komunale të Drenasit që të ndërmarrim masa për të siguruar mbrojtje sociale për viktimën në fjalë.

Gani Lluka nga KOMF, tha se ky rast i ka shtyrë ata që të ngrisin zërin dhe të dalin edhe me një konferencë të tillë.

“Kjo konferencë u shkaktua nga ngjarja e rëndë që u shkaktua në Drenas. Ne sot kemi filluar që t’i paraqesim qëndrimet tona si KOMF në lidhje me ngjarjen. Për këtë qëllim ne kemi thirr këtë konferencë emergjente për qëndrimin tonë lidhur me këtë çështje”.

Ndërsa drejtoresha e KOMF, Donjetë Kelmendi kërkoi që shërbime tu ofrohen edhe familjes për të siguruar një mjedis mbështetës.

“Është një qëndrim që e kemi edhe për rastin specifik, por në anën tjetër kur raste të tilla ka shumë. Ka raste kur po ndodh e kundërta dhe abuzimi po ndodh nga profesionistët. KOMF kërkon nga institucionet komunale të ndërmarrin masa për të siguruar mbrojtjen e viktimës”.

“Thirrja shkon për qendrën për punë sociale në Drenas. Shërbimet iu ofrohen edhe familjes për të siguruar që familja është në një mjedis mbështetës”.

Aty iu bë thirrje edhe medieve që të jenë të kujdesshëm dhe mos të publikojnë imazhet e viktimës nga Drenasi.

“KOMF iu bën thirrje medieve që të mbrojnë personalitetin e viktimës duke mos shpërndarë imazhet e saj. Abuzimi seksual i fëmijëve është forma më e rëndë e abuzimit, e cila shkakton dëm psikologjik. Duke qenë që se raste të tilla po përsëriten atëherë si koalicion do japim edhe disa rekomandime që të ndalen raste të tilla”.

KOMF ofroi rekomandimet për institucione, për parandalimin e kësaj dukurie dhe ndëshkimin e rastit:

Shkollat:

a. Edukimi i fëmijëve për format e abuzimit, rreziqet, pasojat, raportimin dhe institucionet e mandatuara për mbrojtjen e fëmijëve;

b. Prezantimi me zyrat përkatëse ku abuzimi mund të raportohet, dhënien e të gjitha kontakteve për të pasur qasje në këto sisteme të referimit dhe garantimi mbi ruajtjen e konfidencialitetit;

c. Ngritja e shërbimeve profesionale në kuadër të shkollave (psikologë, pedagogë, punëtorë social), ku ndër të tjera do të kishin rol edhe në vetëdijesimin e fëmijëve për raportimin dhe kërkimin e ndihmës si dhe ofrimin e mbështetjes psiko-sociale për viktimat;

d. Bashkëpunimi me Këshillin e Prindërve dhe Këshillin e Nxënësve në iniciativa dhe veprime konkrete për parandalim dhe raportimin e rasteve të abuzimeve seksuale;

e. Denoncimi i rasteve të konstatuara në organet kompetente;

f. Bashkëpunimin me Qendrat për Punë Sociale në menaxhimin e rasteve;

Drejtoritë Komunale të Arsimit:

a. Mbikëqyrja aktive e proceseve nëpër shkollat fillore dhe ato të mesme në Republikën e Kosovës;

b. Reagimi i menjëhershëm dhe marrja e masave adekuate në rastet e dyshuara dhe raportuara të abuzimit seksual në shkolla;

c. Marrja e masave ligjore në preventiven dhe ndëshkimin e rasteve të abuzimit seksual në shkolla;

d. Denoncimi i rasteve të konstatuara në organet kompetente;

e. Punësimi i profesionistëve të lëmive përkatëse që kanë aftësi për të parandaluar, zbuluar dhe për t’iu përgjigjur efektivisht rasteve të dhunës ndaj fëmijëve;

Qendrat për Punë Sociale:

a. Caktimi i menaxherit të rastit për çdo rast dhe sipas nevojës edhe kujdestar të cilët bëjnë vlerësimin e rastit dhe ndërmarrin të gjitha masat dhe shërbimet e nevojshme në përputhje me mandatin për të siguruar mbrojtjen, rehabilitimin dhe re integrimin e viktimës fëmijë;

b. Shtrirja e shërbimeve jo vetëm për viktimën por edhe familjen e saj, për të siguruar që familja është një mjedis mbështetës, pranues dhe jo diskriminues, i cili gjithashtu i shërben rehabilitimit dhe re-integrimit të viktimës;

c. Bashkërendimi i veprimeve për menaxhimin e rastit me profesionistë të tjerë në mënyrë që të adresojë të gjitha nevojat e rastit.

Policinë e Kosovës:

a. Reagimi i menjëhershëm në rastet e dyshuara të abuzimit seksual ndaj nxënësve, bazuar në dispozitat ligjore;

b. Bashkëpunimi më i mirë me prokurorinë dhe gjykatat në rastet e
abuzimeve seksuale ndaj nxënësve për parandalimin dhe ndëshkimin e rasteve të tilla;

c. Kategorizimi i të dhënave sipas autorëve në rastet e abuzimit seksual ndaj fëmijëve/ nxënësve;

d. Procedimi me efikasitet i rasteve të tilla në Prokurorinë përkatëse në rastet kur ka elemente të veprave penale;

e. Intervistimin e të miturit viktimë vetëm në praninë e psikologut/punëtorit social;

f. Zhvillimin e procesit të intervistimit me të miturin viktimë apo dëshmitar në mënyrë sa më miqësore.

Prokurorinë e Kosovës:

a. Procedimi i rasteve të tilla, bazuar në dispozitat ligjore;

b. Bashkëpunimi i mirë me institucionet arsimore, Policinë e Kosovës dhe Gjykatat në luftimin dhe ndëshkimin e rasteve të abuzimeve seksuale ndaj nxënësve.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Gjykatat:

a. Procedimi me efikasitet i rasteve të abuzimeve seksuale ndaj nxënësve/fëmijëve;

b. Kategorizimi dhe posedimi i të dhënave të tilla sipas autorëve të veprave penale;

c. Mbajtja e evidencave të personave që kanë precedent penal në vepra abuzive ndaj fëmijëve.

Të ngjashme