KOMF: Në Kosovë mungojnë programet që ofrohen në fëmijërinë e hershme

Prishtinë | 29 Nën 2019 | 11:41 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), ka mbajtur konferencën përmbyllëse të projektit “Zhvillimi i Ndërhyrjes në Fëmijërinë e Hershme në Kosovë”, raporton Ekonomia Online.

Drejtoresha e KOMF-it, Donjeta Kelmendi, tha se në Kosovë mungojnë programet që ofrohen në fëmijërinë e hershme derisa potencoi se sistemi është fokusuar në institucionet parashkollore.

“Është bërë një vlerësim i nevojave për të parë si jemi si shtet në fëmijërinë e hershme, ky dokument është punuar që ta kemi një bazë dhe të kemi të dhëna në mënyrë që t’ua ofrojmë institucioneve dhe t’u tregojmë cilët janë hapat që duhet të ndërmerren nga shteti. Është mbajtur edhe një trajnim 3 ditorë me trajnerë nga Bullgaria, bazuar në trajnim kanë parë mangësitë dhe kanë ofruar një udhëzues për një ndër format se çka hynë në fazat e fëmijërisë së hershme. Në Kosovë mungojnë programet që ofrohen në fëmijërinë e hershme, sistemi është fokusuar në institucionet parashkollore”.

Labërie Luzha nga MAShT-i u shpreh se Kosova tashmë e ka përqendruar edukimin e hershëm si një prej formave më të mira për edukim, si dhe tregoi se si ministri po mundohen të hartojnë politika më të mira për edukimin e hershëm në Kosovë.

“Ministria e Arsimit në vazhdimësi po mundohet të hartoj politika dhe të implementoj për fëmijët, ministria e Arsimit e mbështet këtë projekt pasi Kosova e ka përqendruar edukimin në edukimin e hershëm. Jemi të lumtur që e kemi të aprovuar Ligjin për të Drejtat e Njeriu dhe Ligjin për Ushqyerjen me Gji, këto ligje do të ofrojnë mirërritje të fëmijëve në moshë të hershme, kemi pasur sfida, por tani e kemi një pako të hartuar krahas kësaj kemi punuar në hartimin e dokumenteve profesionale”, tha ajo, raporton EO.

Hana Zylfiu- Haziri prezantoi dokumentin “Identifikimi dhe vlerësimi i nevojave në fushën e fëmijërisë së hershme” duke dhënë disa rekomandime që i kanë si organizatë në bashkëpunim me organizatat partnere.

“Ne jemi munduar të analizojmë në nivelin qendror dhe lokal dhe çka ka nevojë të ofrohet, mosofrimi i shërbimeve cilësore i privon ata të arrin qëllimet e duhura. E kemi analizua fushën e arsimit, shëndetësisë dhe fushën e mirëqenies sociale. Gjatë punës tonë kemi listuar nevojat, në përgjithësi i kemi marrë parasysh që tek ne fëmijëria e hershme nuk është prioritet dhe investimet nuk kanë qenë edhe aq të duhura. I kemi shumicën e qendrave për fëmijëri të hershme kryesisht në zona urbane kurse në zona rurale janë të diskriminuara”.

Ajo ka dhënë edhe rekomandimet për institucionet se si mund të kontribuojnë në zhvillimin e hershëm të fëmijëve.

“Kemi vetëm 4.8 % të fëmijëve në edukimin parashkollor 0-4, në klasat parafillor është 90%. Institucionet shëndetësore dhe ato të mirëqenies sociale nuk e kanë prioritet zhvillimin e hershëm të fëmijëve. Sugjerimi i parë është që të bëhet strategjia nacionale për fëmijërinë e hershme duke përfshirë fushën e arsimit, shëndetësisë dhe mirëqenies që parasheh korniza të integruara. Pikë tjetër është finalizimi i ligjit parashkollor, prioritet tjetër e kemi edhe finalizimin e korrikulës bërthama për moshën 0-5, dhe largimi i moshës 5-6. Pikë tjetër është ofrimi i shërbimeve alternative, rregullimi i legjislacionit  për zhvillimin e shërbimeve alternative për fëmijët”, tha Zylfiu- Haziri, raporton EO.

Të ngjashme