KOMF prezanton draftmodelin e politikës për mbrojtjen e fëmijëve

Prishtinë | 07 Qer 2018 | 11:22 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Dhuna ndaj fëmijëve kohëve të fundit ka shtyrë Koalicionin e OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve të hartojë draftmodelin e politikës për mbrojtjen e fëmijës.

Petrit Tahiri nga Qendra Edukative e Kosovës (KEC) bëri të ditur se ky raport ka për qëllim ofrimin e një politike për mbrojtjen e fëmijëve.

Tahiri më tutje tha se shpreson që ky dokument të gjejë zbatim tek institucionet që merren me fëmijët, raporton Ekonomia Online.

“Marrë parasysh misionin që e ka KOMF-i si koalicion, që është mbrojtja e fëmijëve, ne kemi menduar dhe sot po e prezantojmë këtë dokument si një alternativë që mund të adaptohet nga konteksti apo organizata që dëshiron ta adaptojë këtë politikë”.

“Synimi është që institucionet ta kenë një politikë të tillë dhe po pretendojmë që ky dokument do të gjejë edhe zbatim dhe përkrahje në aspektin e politikbërjes në aspektin e shtytjes apo motivimin e të gjitha institucioneve tjera për shfrytëzimin e kësaj politike”.

Ndërsa Remzije Krasniqi, përfaqësuese e SOS fshatrave të Fëmijëve në Kosovë, tha se për mbrojtjen e fëmijëve është e rëndësishme vetëdijësimi apo informimi lidhur me të drejtat e fëmijëve.

Ajo tha se po ashtu duhet pasur kujdes edhe në rekrutimin e personelit, raporton EO.

Muhamet Arifi tha se problem tek institucionet është mungesa e shkathtësive të njerëzve për ta vërejtur problemin dhe reagimi.

“Te ne në Kosovë shumë njerëz hezitojnë me raportu por është me rëndësi që njerëzit nuk kanë shkathtësi për me e pa një problem që ka ndodhë. Duhet me pasë një person përgjegjës që siguron se stafi tjetër ka njohuri për mbrojtjen e fëmijëve”.

Në fund të prezantimit, Albulena Shabani nga Terre Des Hommes, paraqiti aspektin e prezantimit të fëmijëve në media.

Ajo tha se është e rëndësishme që para paraqitjes së tyre të merret pëlqimi nga fëmijët dhe prindërit apo kujdestari.

“Është e rëndësishme që të merret pëlqimi paraprak nga fëmijët dhe prindërit. Asnjëherë fëmija nuk duhet të paraqitet në rastin e viktimës”.

Ky model i Politikës së Mbrojtjes së Fëmijës është bazuar në politikën e mbrojtjes së fëmijës të EuroChild-it. EuroChild-i është një rrjet organizatash dhe individësh me bazë në Bruksel, që punojnë në të gjithë Evropën për të promovuar të drejtat dhe mirëqenien e fëmijëve.

Të ngjashme