Komisioneri për Zgjerim e siguron Hotin se një sasi e vaksinës anti-Covid do të arrijë në Kosovë

Prishtinë | 28 Dhj 2020 | 12:51 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, në detyrë, Avdullah Hoti në një bisedë telefonike me Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim Oliver Varhelyi, ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend dhe situatën me pandeminë Covid-19.

Hoti e ka siguruar z. Varhelyi,  se Kosova do të vazhdojë të ketë stabilitet institucional dhe fiskal, do ta trajtojë me prioritet menaxhimin e pandemisë Covid-19 dhe do t’i kryej të gjitha obligimet që dalin karshi procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Hoti me këtë rast e ka falënderuar z. Varhelyi, edhe për përkrahjen në lansimin dhe zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane ERA 2.

Sa i përket sigurimit të vaksinës kundër Covid-19, z. Varhelyi e siguroi kryeministrin Hoti se një sasi e saj do të arrijnë në Kosovë në të njëjtën kohë sikurse në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Të dy bashkëbiseduesit ngritën shqetësimin për hyrjen ilegale të vaksinës kundër Covid-19 në Kosovë, pa procedura të rregullta të importit apo donacionit për produkte medicinale, për të cilat nuk dihet as origjina. Kjo sjellje e Republikës së Serbisë u konsiderua e papranueshme dhe institucionet e Kosovës  kanë inicuar veprimet  e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këto veprime.

Kryeministri Hoti e siguroi komisionerin Varhelyi se në kuadër të planeve për vaksinim janë përfshirë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa asnjë dallim.

Kryeministri Hoti falënderoi  gatishmërinë e Institucioneve të Bashkimit Evropian, që të vazhdojnë mbështetjen e pakursyer për institucionet dhe qytetarët e Kosovës, në menaxhimin e krizës të cilën e ka shkaktuar pandemia Covid-19.

Të ngjashme