Komisioni për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës shënon një vjetorin e punës

Prishtinë | 07 Shk 2019 | 12:16 | Nga Ekonomia Online

Komisioni  për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës shënon një vjetorin e punës

Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës shënon një vjetorin e punës

Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës (Komisioni Qeveritar) në shënimin e një vjetorit të punës së tij, shpreh mirënjohje të thellë për të gjithë personat të cilët kanë gjetur kurajën dhe forcën për t’iu drejtuar Komisionit Qeveritar për njohje të statusit të personit të dhunuar gjatë luftës në Kosovë.

Komisioni Qeveritar falënderon të gjithë akterët të cilët kanë ofruar bashkëpunimin dhe mbështetjen e tyre për këtë proces.

Komisioni Qeveritar, në kuadër të mandatit të tij, me përgjegjësi morale dhe ligjore i siguron të gjithë personat që kanë aplikuar dhe synojnë të aplikojnë që rastet e tyre do të vazhdojnë të trajtohen me profesionalizëm, dinjitet dhe përkushtim maksimal. Mbi të gjitha, ju garanton ruajtjen e konfidencialitetit në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Komisioni Qeveritar deri më tani ka pranuar gjithsej 911 aplikacione dhe ka marrë vendim për 323 raste, prej të cilave 200 personave i është njohur statusi viktimë e dhunës seksuale të luftës, ndërsa 123 personave i është refuzuar ky status. Janë pranuar 100 kërkesa për rishqyrtim, gjysma e të cilave janë rishqyrtuar dhe është vendosur për to. Ndërsa mbi 50 aplikacione të tjera janë në shqyrtim e sipër.

Komisioni Qeveritar bazuar në kompleksitetin dhe ndjeshmërinë e procesit, si dhe me qëllim të vlerësimit të drejtë dhe të ligjshëm të aplikacioneve, secilit rast i ka kushtuar kohën e nevojshme.

Komisioni Qeveritar është i pavarur në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive të tij, dhe askush nuk ka të drejtë të ushtroj apo të tentoj të ushtroj çfarëdo lloj ndikimi në punën e tij.

Komisioni Qeveritar shpreh shqetësimin e tij rreth informacioneve jo zyrtare të cilat janë duke u plasuar në media mbi punën e këtij Komisioni. Komisioni Qeveritar i bën thirrje institucioneve të vendit, organizatave joqeveritare, mediave dhe të gjithë qytetarëve që të mbështesin këtë proces dhe punën e Komisionit Qeveritar kaq të rëndësishëm për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës.

Ky proces vjen pas afër 20 vjet përpjekjesh për njohjen ligjore të kësaj kategorie të luftës dhe ndërtimin e një procesi kredibil, i cili është duke u konsideruar praktikë e mirë edhe në arenën ndërkombëtare, prandaj duhet të punojmë të gjithë së bashku në të mirë të këtij procesi dhe në të mirë të vet të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. 

Komisioni Qeveritar i bën thirrje të gjithë personave të cilët kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë që të aplikojnë për njohjen e statusit të tyre ligjor. Komisioni Qeveritar mbetet i përkushtuar deri në fund në vlerësimin e ligjshëm dhe të drejtë të të gjithave rasteve, duke respektuar dinjitetin, personalitetin, dhimbjen dhe vuajtjet e të gjithë personave të cilët kanë përjetuar këtë krim mizor të luftës.

Komisioni Qeveritar fton të gjitha mediat dhe palët e interesuara që për çdo informacion lidhur me këtë proces ligjor të kontaktohet ky mekanizëm institucional.

Të ngjashme